Në Shqipëri, besimtarët ortodoksë festuan sot Pashkët, një nga ngjarjet më kulmore të fesë së tyre.
Besimtarët ortodoksë i vazhduan Festimet e Pashkëve gjatë gjithë javës, ndërsa i kulmuan ato mesnatën e fundjavës, duke u mbledhur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, për të dëgjuar mesazhet kushtuar njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të fesë së tyre.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos uroi Pashkët besimtarëve ortodoksë përmes një mesazhi publik me rastin e kësaj feste, të cilën e përcollën në ceremoni ndihmësit e tij.
Teksa përmend disa vatra luftërash dhe dhune në botë, kryepiskopi Anastas theksoi se besimi i krishterë i fuqizon njerëzit me siguri të plotë, ndonëse ata janë të brishtë.
“Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli...”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme”, thuhet në mesazhin e tij.
Kryepiskopi Anastas theksoi se pjesëmarrja e besimtarëve në pësimet dhe ngjalljen e Krishtit forcon qëndresën e tyre, në mënyrë që të mos i përpijë depresioni dhe dëshpërimi.
“Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur”, thuhet në mesazhin e urimit të Kryepiskopit Anastas.
Shqipëria po përjeton 3 dekadat e fundit një zhvillim të gjerë të besimeve fetare, pas afro gjysmë shekulli ndalim të fesë, vrasjes dhe burgosjes së shumë klerikëve dhe besimtarëve, si dhe shkatërrimit të objekteve të kultit.
Në vend bashkëjetojnë në respekt të ndërsjelltë disa komunitete fetare, më i madhi ndër ta, ai mysliman, si besimet e tjera ortodoksë, katolikë, bektashinj, pa shënuar asnjëherë në histori ndonjë konflikt me motiv fetar.