Lidhje

Hicks: Zoti Trump ishte i shqetësuar nga pasojat e komenteve të tij për gratë


Former U.S. President Donald Trump appears at court in New York
Former U.S. President Donald Trump appears at court in New York

Hope Hicks, zëdhënësja e fushatës presidenciale të zotit Donald Trump në vitin 2016, gjatë dëshmisë në gjyqin e tij penal në Nju Jork, tha të premten se ekipi i fushatës një muaj përpara votimit ishte i mbingarkuar nga publikimi i përmbajtjes së një video kasete të emsionit "Access Hollywood", ku zoti Trump krenohej se si ai mund të prekte gratë pa u ndëshkuar.

Hicks, e cila u detyrua me ligj të dëshmonte kundër ish shefit të saj, tha se reagimi i saj i parë ndaj kasetës ishte "mohimi" i përmbajtjes së saj, por kur lexoi më vonë përmbajtjen e saj, ajo i tha jurisë prej 12 anëtarësh se ishte “shumë e shqetësuar”.

Ajo tha se e dinte se ky "do të ishte një lajm i madh".

Ndonëse fillimisht i kishte thënë gazetës Washington Post se nuk besonte se zoti Trump mund të thoshte gjëra të të tilla për gratë, zonja Hicks tha në gjykatë se pasi kishte parë videon e kishte konfirmuar për gazetën se ato në të vërtetë ishin fjalët e zotit Trump.

Prokurorët pretendojnë se zbulimi i kasetës së emisionit "Access Hollywood" luan një rol kyç në argumentet e tyre kundër presidentit të 45-të, duke dëshmuar se ai ishte thellësisht i shqetësuar për humbjen e mbështetjes nga gratë dhe dëmin që mund të shkaktonte kaseta për përpjekjen e tij për t’u bërë president. Demokratja Hillary Clinton, kandidatja e parë grua e një partie për president në Shtetet e Bashkuara, ishte rivalja e tij në zgjedhjet e vitit 2016.

Por Hicks tha gjithashtu se zoti Trump "ishte i shqetësuar se si do të gjykohej nga bashkëshortja e tij" Melania kur gazeta Wall Street Journal publikoi një artikull vetëm disa ditë para zgjedhjeve për dy gra, që pretendonin se kishin pasur marrëdhënie jashtëmartesore me zotin Trump dhe se për blerjen e heshtjes së tyre ato kishin marrë shuma të mëdha parash.

Mbrojtja është përpjekur ta portretizojë ish presidentin Trump si një burrë familjar, të shqetësuar për ndjenjat e bashkëshortes së tij, Melania Trump, si një arsye alternative për fshehjen e informacionit të dëmshëm, jo për të rritur shanset për të fituar zgjedhjet.

Në ditët pas shfaqjes së kasetës "Access Hollywood", prokurorët pretendojnë se zoti Trump pranoi të paguante 130 mijë dollarë yllin e filmave pornografikë, Stormy Daniels për fshehur një marrëdhënie jashtëmartesore që ata kishin patur një dekadë para zgjedhjeve.

Në gjyqin e parë ndaj një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara, zoti Trump akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur pagesën që ish-avokati i tij Michael Cohen ia ka dhënë zonjës Daniels, për të fshehur nga votuesit informacionin mbi marrëdhënien e tyre jashtëmartesore para hapjes së qendrave të votimit. Zoti Trump i ka mohuar të dy akuzat për marrëdhënie jashtëmartesore dhe të 34 akuzat me të cilat ai përballet.

Prokurori Matthew Colangelo e pyeti zonjën Hicks se çfarë mendonte për sugjerimin e zotit Trump se zoti Cohen e kishte paguar zonjën Daniels "nga mirësia e zemrës së tij".

Hicks u përgjigj se kjo nuk përshtatej me karakterin e zotit Cohen që ajo e njihte, duke thënë se ajo nuk e konsideronte atë si "një person bamirës apo vetëmohues".

Për shkak të kundërshtimeve të mbrojtjes, ajo tha se nuk do të ishte në karakterin e zotit Cohen që ai ta bënte një pagesë për zonjën Daniels pa i treguar zotit Trump.

Megjithatë, ajo pranoi pas pyetjeve të avokatit mbrojtës Emil Bove se zoti Cohen "ka qenë mashtrues" nganjëherë dhe ka bërë gjëra që ishin "të paautorizuara".

Të enjten prokuroria paraqiti regjistrimin e bërë fshehurazi nga zoti Cohen të një telefonate me avokatin e zonjës Daniels, Keith Davidson, ku negociohet pagesa për të fituar heshtjen e zonjës Daniels. Në regjistrim zoti Cohen i thotë zotit Davidson se ish-presidenti Trump e urren “faktin që ne e realizuam”, frazë që sipas zotit Davidson i referohet pagesës për zonjën Daniels.

Gjyqi ndaj zotit Trump, i cili mund të zgjasë një muaj, do të vazhdojë të hënën më dëshmitarë të tjerë të rëndësishëm, të cilët ende nuk kanë janë paraqitur, përfshirë ish-avokatin e tij Michael Cohen dhe aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels.

XS
SM
MD
LG