Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi një ndihmë masive ushtarake për Ukrainën, të vlerësuar në rreth 6 miliardë dollarë. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, analistët thonë se ndihma është tepër e nevojshme në mënyrë që Ukraina të rifitojë avantazhin pas disa muajsh mungesash në municione.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi paketën më të madhe të ndihmave për Ukrainën, me rreth 6 miliardë dollarë armatime të mëtejshme nga industria amerikane e mbrojtjes.
“Mund të siguroheni se do të veprojmë me shpejtësi maksimale që t’i mundësojmë këto kapacitete, sapo industria të mundet t’i prodhojë ato”, tha sekretari Austin.
Ukraina priti disa muaj që Kongresi amerikan të miratonte ndihmat e reja, ndërkohë që vazhdonin sulmet nga forcat ruse.
“Kanë fituar terren dhe ukrainasit kanë humbur terren, duke u tërhequr herë pas here sepse nuk kanë patur zgjidhje tjetër, duke ulur përdorimin e municioneve pasi nuk kishin mjaftueshëm”, thotë Brad Bowman, Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.
Kjo ishte një pikë qendrore e diskutimeve të premten të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Gjatë konferencës për shtyp që pasoi, Zëri i Amerikës shtroi pyetjen se kur pritet që ukrainasit të rifitojnë avantazhin.
“Nuk mundem të parashikoj një moment në të ardhmen se kur ukrainasit do ta kenë këtë mundësi, por ne mundemi të punojmë për këtë të ardhme. Mendoj se ka disa efekte afatshkurtra, pasi tani ukrainasve nuk do t’u duhet të ruajnë municionet, sepse e dinë që me këtë paketë ndihmash do të ketë furnizime të mëtejshme”, tha gjenerali CQ Brown, shef i shtabit amerikan.
Paketa e ndihmave prej 6 miliardë dollarësh mbështetet tek ligji për ndihmat ndërkombëtare prej 61 miliardë dollarësh të nënshkruar në fuqi të mërkurën nga presidenti Joe Biden.
Në këtë paketë ndihmash përfshihen sisteme kundërajrore, si dhe sisteme artilerie dhe municione.
Sekretari Austin nuk tha nëse paketa e ndihmave përmban raketa të tjera me rreze të gjatë ATACMS, por ai konfirmoi se ukrainasit tashmë kanë kapacitetet për të dyfishuar distancën e goditjeve me artileri.
“Është tashmë në dorën e tyre se si dhe kur t’i përdorin dhe shpresojmë që do të kenë efekte të mira”, tha sekretari Austin.
Analisti Brad Bowman pati bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të dërgonin sistemet me rreze të gjatë ATACMS në Ukrainë që në vitin 2022.
“Vonesa ka qenë shumë për të ardhur keq dhe ka patur pasoja në fushëbetejë, ashtu siç kanë patur shumë nga këto vonesa. Por, është shumë pozitive që janë dërguar. Ukrainasit i kanë përdorur tashmë me shumë efektshmëri dhe ju duhen të tjera”, thotë zoti Bowman.
Zyrtarët kanë përmendur shqetësimet se heqja e sistemeve me rreze të gjatë ATACMS nga rezervat amerikane do të dëmtonte gatishmërinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Sekretari Austin i tha Zërit të Amerikës se mungesat në rezerva nuk janë më problem, pasi Shtetet e Bashkuara kanë siguruar raketa të reja.