Presidenti Joe Biden e ka bërë çështjen e të drejtave të riprodhimit temë qendrore të fushatës për rizgjedhjen e tij, duke fajësuar kundërshtarin politik Donald Trump se i hapi rrugën vendosjes së ligjeve më kufizuese nga legjislaturat e shteteve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, në këtë fushatë elektorale ish-presidenti Trump po mban një qëndrim më të moderuar ndaj abortit nga ç’do të kishin preferuar disa nga Partia e tij Republikane.
Presidenti Joe Biden bëri fushatë për të drejtat e riprodhimit në Florida, ku nga java e ardhshme do të ndalohet me ligj aborti pas gjashtë javëve të para të shtatzënisë.
“E ndëshkon penalisht kujdesin shëndetësor për riprodhimin që përpara se gratë ta dinë që janë shtatzënë. Kjo është e çuditshme”, tha presidenti Biden.
Ligji për abortin në Florida do të jetë ndër ligjet më kufizuese në Amerikë dhe u jep një fitore udhëheqësve konservatorë republikanë, thotë profesorja e juridikut në Universitetin e Majamit, Caroline Mala Corbin.
“Për personat besimi fetar i të cilëve thotë se jeta fillon që në ngjizje dhe rrjedhimisht shtatzënia është moralisht e barazvlefshme me një qenie njerëzore, ky vendim është qartazi një triumf”, thotë profesorja Corbin.
Kjo përbën edhe një sfidë për ish-presidentin Donald Trump, i cili thotë se ligji i ri i Floridas është i tepruar. Zoti Trump sidoqoftë kërkon t’u rikujtojë votuesve që nuk mbështesin abortin, se ishte ai që i dha fund mbrojtjes në nivel federal të së drejtës për abort, nëpërmjet emërimeve në Gjykatën e Lartë që ndryshuan balancën në këtë gjykatë.
Ekipi elektoral i presidentit Biden e shikon këtë si një mundësi politike.
“Për 50 vjet, gjykata pati vendosur në favor të së drejtës kushtetuese për privatësi. Por dy vite më parë, kjo u hoq. Le të jemi të qartë: Një person është përgjegjës për këtë makth. Ai e ka pranuar dhe mburret për këtë: Donald Trump-i”, tha presidenti Biden.
Ish-presidenti është mburrur vërtet për këtë dhe e përsëriti veprimin në një video të publikuar këtë muaj në median e tij sociale.
“Kjo betejë 50 vjeçare e hoqi çështjen e abortit nga duart e qeverisë federale dhe e solli në zemrat, mendjet dhe votat e njerëzve në çdo shtet. Ishte vërtet një arritje. Tashmë u mbetet shteteve të bëjnë gjënë e duhur”, tha ish-presidenti Trump.
Situata vështirësohet kur shtetet miratojnë ligje me të cilat nuk është dakort zoti Trump. Si ç’është rasti i Floridës, apo i Arizonës, ku gjykata la në fuqi një ligj të viteve 1800 kundër abortit.
Votuesit në të dyja këto shtete do të kenë mundësinë të shprehen për çështjen e abortit gjatë votimeve të nëntorit.
Iniciativa të ngjashme në Kansas dhe Ohajo gjatë dy viteve të fundit nuk kanë patur sukses. Dhe ish-presidenti Trump ua rikujton mbështetësve se çështja e abortit shoqërohet me kosto elektorale.
“Si Ronald Regani, unë jam në favor të përjashtimeve për rastet e përdhunimit, inçestit dhe për mbrojtjen e jetës së nënës. Duhet të ndiqni ndjenjat tuaja për këtë çështje, por mbani mend se duhet të fitoni gjithashtu zgjedhjet që të rikthejmë kulturën tonë dhe në fakt të shpëtojmë vendin tonë, që është aktualisht dhe fatkeqësisht një vend në rënie”, tha zoti Trump.
Kjo është një pikë e dobët që e ka pikasur presidenti Biden.
“Donald Trump-i shqetësohet se votuesit do ta mbajnë përgjegjës për egërsinë dhe kaosin që krijoi. Lajmi i keq për Trump-in është se do ta mbajmë përgjegjës. Ai duhet të mbajë përgjegjësi”, tha presidenti Biden.
Në kuadrin e përpjekjeve për të drejtat e riprodhimit, administrata e presidentit Biden forcoi këtë javë rregullat për privatësinë e të dhënave mjekësore të personave që shkojnë në shtete të tjera. Kjo synon të mbrojë gratë, që jetojnë në shtetet ku aborti është i jashtëligjshëm, nga ndëshkimi penal për një abort që mund ta bëjnë në një shtet tjetër.