Lidhje

Egjipti dërgon delegacion në Izrael, përpjekje për armëpushim në Gazë


Rafah, Gazë, 25 prill 2024
Rafah, Gazë, 25 prill 2024

Egjipti dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Izrael me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, thanë dy zyrtarë. Në të njëjtën kohë, Kajroja paralajmëroi se një ofensivë e mundshme nga ana e Izraelit në qytetin e Gazës, Rafah, në kufi me Egjiptin, do të kishte pasoja të rënda për qëndrueshmërinë rajonale.
Zyrtari më i lartë i shërbimeve inteligjente të Egjiptit, Abbas Kamel, kryeson delegacionin dhe po planifikon të diskutojë me Izraelin mbi “një vizion të ri” për arritjen e një armëpushimi për një periudhë më të gjatë, tha një zyrtar egjiptian, i cili foli në kushte anonimiteti.
Ndërsa luftimet vazhdojnë dhe numri i viktimave rritet, është shtuar trysnia ndërkombëtare mbi Hamasin dhe Izraelin për të arritur një marrëveshje për armëpushim.

Bisedimet e sotme do të përqëndrohen në shkëmbimin e një numri të kufizuar të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palesinezë dhe rikthimin e një numri të konsiderueshëm palestinezësh në shtëpitë e tyre në veri të Gazës me “kufizime minimale”, tha zyrtari egjiptian. Ai shtoi se shpresat janë që bisedimet të vazhdojnë me qëllim final arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
Zyrtari tha se ndërmjetësuesit po përpiqen të arrijnë një marrëveshje që do të plotësonte kërkesat e të dyja palëve.

Hamasi ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kërkesat për armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite, kërkesa që Izraeli i ka refuzuar. Nga ana e tij Izraelit thotë se do të vazhdojë operacionet ushtarake derisa Hamasi të eliminohet dhe se do të jetë i pranishëm në Gazë për të ruajtur sigurinë, pasi grupi Hamas të jetë mundur. Përpara bisedimeve, një zyratar i Hamasit, Basem Naim, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se “nga ana tyre nuk kishte asnjë të re”, kur u pyet mbi negociatat.

Gjatë orëve të natës grupi militant libanez Hezbollah goditi me raketa anti-tank dhe predha artilerie një kolonë ushtarësh izraelitë në një zonë të diskutueshme kufitare, duke vrarë një civil izraelit.

Luftimet me intensitet të ulët në kufirin izraelito-libanez kanë rrezikuar të përshkallëzohen ndërsa Izraeli ka patur si objektiv militantë të Hezbollahut përgjatë muajve të fundit.

Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme ajore pothuajse të përditshme në Rafah, një qytet ku ka gjetur strehë më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës.

Ushtria izraelite ka grumbulluar dhjetëra tanke dhe automjete të blinduara në një zonë në jug të Izraelit që është afër Rafahut, në atë që duket se është një veprim në kuadër të përgatitjeve për të sulmuar qytetin.

Rafahu është një qytet kufitar mes Gazës dhe Egjiptit. Gjatë qëndrimit në Izrael kreu i shërbimeve inteligjente egjiptiane pritet ta bëjë të qartë se Egjipti “nuk do të tolerojë” dislokimin e trupave izraelite përgjatë kësaj zone kufitare, tha zyrtari egjiptian.

Ky i fundit shtoi se Egjipti ka ndarë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane të dhëna që tregojnë se ofensiva në Rafah do të ndizte konflikt në rajon.

Një diplomat perëndimor në Kajro, që foli në kushte anonimiteti, tha se Egjipti ka intensifikuar gjatë ditëve të fundit përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të shkurtër në Gazë, që do të ndihmonte në negocimin e një armëpushimi më afatëgjatë dhe në shmangien e ofensivës në Rafah.

Egjipti ka deklaruar se sulmi në Rafah do të paraqiste shkelje të marrëveshjes së paqes, në zbatim prej dekadash, mes Egjiptit dhe Izraelit.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi më 7 tetor, kur sulmet e grupit militant Hamas, që SHBA-të e kanë shpallur grup terrorist, lanë të vrarë 1200 persona ndërsa 250 të tjerë u morën peng, sipas të dhënave izraelite. Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë gjatë luftës, sipas autoriteteve të shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi.

XS
SM
MD
LG