Lidhje

Përfundon seanca në Gjykatën e Lartë lidhur me pretendimet e ish Presidentit Trump për imunitet absolut


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shqyrtoi të enjten kërkesën e ish Presidentit Trump për të shmangur ndjekjen penale lidhur me akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se ish-presidentët gëzojnë imunitetit absolut për veprimet e tyre ndërsa janë në detyrë. Në të kundërt, thonë ata, ndjekjet penale të motivuara politikisht ndaj ish presidentëve, mund të bëheshin rutinë dhe presidentët nuk do të mund të përmbushnin detyrat e tyre si komandant të përgjithshëm nëse do t’u duhej të shqetësoheshin se mund të përballeshin me akuza penale.

Michael Dreeben, që përfaqësoi Departamentin e Drejtësisë dhe prokurorin e posaçëm, tha se akuzat me të cilat përballet zoti Trump, përfshirë planin për të caktuar elektorë të rremë në shtetet që ishin vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, kishin të bënin me funksionet e zotit Trump si kandidat dhe jo si president.

Gjykatat më të ulëta i kanë hedhur poshtë argumentet e zotit Trump, përfshirë një vendim të njëzëshëm të një trupe prej tre gjyqtarësh të një gjykatë apeli në Uashington. Nëse Gjykata e Lartë ndjek të njëjtin shembull, koha e marrjes së vendimit, mund të jetë po aq e rëndësishme sa edhe vetë vendimi.

Zoti Trump, kandidati i pritshëm republikan në zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë, ka kërkuar shtyrjen e gjyqit deri pas zgjedhjeve presidenciale, dhe sa më vonë ta marrë vendimin Gjykata e Lartë, aq më të mëdha janë gjasat që ai ta realizojë synimin e tij.

Gjykata zakonisht i publikon opinionet e çështjeve të fundit që shqyrton, nga fundi i qershorit, që është afërsisht katër muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Paraqitja e argumenteve para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, që ishte caktuar të zgjaste rreth një orë, zgjati më shumë se dyfishi i kohës së caktuar. Çështja u përqendrua kryesisht tek nuancat e imunitetit, por pyetja kryesore se kur mund të merret një vendim nga Gjykata e Lartë mbetet e paqartë.

Të paktën pesë prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duket se do të refuzojnë pretendimin për imunitet absolut, por disa sugjeruan gjithashtu se ish-presidentët mund të gëzojnë njëfarë imuniteti.

Nëse kjo pasqyrohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, kjo mund të kërkonte që gjykatat më të ulëta të zgjidhnin më pas çështjen nëse zoti Trump gëzon imunitet për akuzat e ngritura ndaj tij dhe kjo do të bënte që gjyqi të shtyhej deri pas zgjedhjeve të nëntorit.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë janë shumë të vetëdijshëm se gjykimi i tyre lidhur me imunitetin e komandantit të përgjithshëm do të ketë implikime të mëdha jo vetëm për këtë rast por edhe për çështje të tjera në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG