Lidhje

Gjykata e Apelit në Nju Jork rrëzon dënimin e Harvey Weinstein


Gjykata më e lartë e Nju Jorkut vendosi të enjten të përmbyste dënimin e Harvey Weinstein në 2020, duke arritur në përfundimin se gjykatësi i çështjes e paragjykoi ish manjatin e dikurshëm të kinematografisë duke dhënë vendime ekstremisht të padrejta, përfshirë vendimin që lejoi dhënien e dëshmive të grave mbi akuza që nuk ishin përfshirë në çështjen në ngarkim të tij.

Akuzat për ngacmime dhe sulme seksuale nga producenti i Hollivudit Harvey Weinstein nxitën në mediat sociale fushatën #MeToo (edhe unë).

“Ne arrijmë në përfundimin se gjykata në mënyrë të padrejtë përfshiu dëshmitë për akte të mëhershme seksuale ndaj personave të tjerë që nuk ishin pjesë e dosjes së gjykimit”, thuhet në vendimin 4-3 të Apelit. “Zgjidhja për këto gabime të rënda është një proces i ri gjyqësor”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit rihap një kapitull të dhimbshëm në Shtetet e Baashkuara për ngacmimet dhe sulmet seksuale nga figura të fuqishme, një kapitull që filloi në vitin 2017 me lumë akuzash kundër Harvey Weinstein. Gratë që kanë ngritur akuza ndaj tij mund të detyrohen të rijetojnë traumat e tyre në cilësinë e dëshmitarit.

Shumica e trupit gjykues tha se "është një abuzim me detyrën e gjyqtarit të lejohen pretendime të paprovuara për asgjë më shumë se sa sjellje të keqe që shkatërrojnë dinjitetin e një të pandehuri, por pa hedhur dritë mbi besueshmërinë e tyre”.

Gjyqtarja Madeline Singas e cila nuk u pajtua me vendimin tha se Gjykata e Apelit po vazhdonte një "prirje shqetësuese të përmbysjes së vendimeve për raste që përfshijnë dhunë seksuale”.

"Vendosmëria e shumicës përjetëson nocionet e vjetruara të dhunës seksuale dhe i lejon personat që sulmojnë seksualisht që t'i shpëtojnë përgjegjësisë", shkroi gjykatësja Singas.

Weinstein, 72 vjeç, po vuan dënimin me 23 vjet heqje lirie në një burg në Nju Jork pasi u dënua se kishte detyruar me forcë një asistente televizive të kryente seks oral në vitin 2006, si edhe përdhunim në vitin 2013 të një gruaje që synonte të behej një aktore.

Ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg pasi u dënua me 16 vjet burg nga një Gjykatë në Los Anxheles në 2022 për një tjetër përdhunim.

Akuzat ndaj Weinstein, dikur një emër i njohur dhe i fuqishëm në botën e kinematografisë përfshirë prodhime që janë vlerësuar me Oskar si “Pulp Fiction" dhe "Shakespeare in Love”, nxitën lëvizjën #MeToo.

Dhjetra gra ngritën akuza ndaj tij përshirë aktore të njohura si Ashley Judd dhe Uma Thurman.

Weinstein është i burgosur në burgun Mohawk në Nju Jork

Ai thotë se është i pafajshëm dhe se çdo akt seksual është bërë me pëlqim.

XS
SM
MD
LG