Bashkimi Europian ka bashkëfinancuar në Ballkanin Perëndimor dekadën e fundit më shumë se 85 projekte infrastrukturore në transport, energji, teknologji dhe mjedis deri në 7.7 miliard euro gjithsej.
Ekspertët besojnë se këto projekte janë një përvojë e bollshme, që të përmirësohen rezultatet me investimet e BE-së me fqinjët, në kuadër të Planit të Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Drejtues i kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Ardian Hackaj, thotë për Zërin e Amerikës se ecuria e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka qenë e mirë, po ashtu edhe tërheqja e financimeve europiane për projekte të ndryshme, por duhet shkurtuar koha nga marrja e financimit deri tek nisja e punës në terren.
“Shqipëria është në një ecuri pozitive në lidhje me përafrimin dhe qasjen ndaj Bashkimit Europian. Për sa u përket projekteve të infrastrukturës, Shqipëria, sipas vëzhgimeve tona, ndodhet mjaft mirë për sa u përket marrjes së financimeve, por duhet vënë theksi në zbatimin e tyre. Shpesh herë kalon një kohë shumë e gjatë nga marrja e financimit, nga nënshkrimi i kredisë, deri në momentin kur ekskavatori fillon dhe gërmon dheun. Kjo periudhë duhet të shkurtohet. Në një kontekst global kaq dinamik, koha është bërë shumë e çmuar”, thotë zoti Hackaj.
Ai i bëri këto komente në çelje të një konference që Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim zhvilloi sot mbi ndërlidhshmërinë shumëpërmasore të Bashkimit Europian me vendet joanëtare si 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbi mundësitë e mëdha që u ofrojnë atyre për zhvillim Procesi i Berlinit dhe Nisma e BE-së Global Gateway.
Zoti Hackaj përmendi si një rast suksesi projektin e gazsjellësit TAP, ndërsa renditi disa nga shkaqet që në rastin e Shqipërisë e tejzgjatin kohën nga marrja e financimit europian deri tek nisja e punës në Kantier.
“Janë disa faktorë: është mungesa e kapaciteteve, është burokracia, janë procedurat e ndryshme, janë problemet inherente ose të brendshme në një proces kaq të ndërlikuar, por rrugët mund të zgjidhen. Kur Shqipëria ndërtoi TAP-in në 8 vjet, një projekt 1.2 miliardë euro, që funksionon në mënyrë të përkryer, i cili për mua është projekti i konektivitetit më i mirë dhe më i suksesshëm në Ballkan, nuk ka arsye të mos zbatohen projekte të tjera, që janë ndoshta më pak të komplikuara se sa ky projekt”, thotë zoti Hackaj.
Përvoja 10-vjeçare e Procesit të Berlinit me Ballkanin Perëndimor, si dhe mundësitë e reja të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor u shqyrtuan sot në konferencën ku morën pjesë politikëbërës nga Bashkimi Europian, nga vendet e anëtare të Bashkimit, nga Ballkani Perëndimor, nga institucione financiare ndërkombëtare dhe të bashkëpunimit rajonal.
Komisioni Europian ka miratuar një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, mbështetur nga një fond 6 miliardë euro, në mënyrë që vendet e rajonit të përfitojnë investime edhe para se të anëtarësohen në BE.
Plani synon të nxitë rritjen ekonomike dhe investimet, e njëkohësisht të përshpejtojë reformat sociale e ekonomike në vendet e rajonit në përputhje me standartet e Bashkimit Europian, ku po përpiqen të integrohen.