Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden miratoi të mërkurën projekt-ligjin që parashikon 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Ai tha se ligji për ndihmën do ta bëjë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurt dhe se dërgimi i paisjeve ushtarake për Ukrainën do të fillojë brenda disa orëve.
Presidenti Biden tha se me miratimin e kësaj ndihme Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë rolin udhëheqës të Amerikës në botë.
“Ajo i jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës që mënyrë që ata të mund të mbrohen përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit të tyre, jetës dhe lirisë së qytetarëve të tyre. Dhe është një investim në sigurinë tonë, sepse kur aleatët tanë janë më të fortë, ne jemi më të fortë”, tha presidenti Biden.
Ai falenderoi anëtarët e Kongresit dhe udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve, si demokratë edhe republikanë për miratimin e ndihmës.
Nënshkrimi nga presidenti u bë pasi Senati votoi me shumicë dërrmuese të martën në mbrëmje në favor projekt-ligjit.
Pas votimit me 79 pro dhe 18 kundër, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se Amerika po i dërgon një mesazh mbarë botës.
“Sot, pas më shumë se gjashtë muajsh pune të palodhur, shumë vështirësish dhe pengesash, Amerika i dërgon një mesazh mbarë botës: Ne nuk do t'ju kthejmë shpinën. Ne u themi aleatëve tanë se jemi me ju. Ne u themi kundërshtarëve tanë, mos u ngatërroni me ne. I themi botës se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Ky projektligj i sigurisë kombëtare është një nga masat më të rëndësishme që ka miratuar Kongresi për të mbrojtur sigurinë e Amerikës dhe sigurinë e demokracisë perëndimore”, tha zoti Schumer.
Miratimi i pjesës së ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar ofensivën.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Presidentin Biden, udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësin e pakicës, Mitch McConnell pas miratimit të projekt-ligjit nga Senati, duke thënë se votimi "përforcon rolin e Amerikës si një model i demokracisë dhe udhëheqëse e botës së lirë".
Zyrtarët amerikanë thonë se Pentagoni është gati të dërgojë 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake në Ukrainë, pjesa më e madhe pas javëve të ardhshme.
Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ndihmën të shtunën.
Ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për përforcuar mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.
Më herët të martën, presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit Lai Ching-te vlerësoi veprimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.
Lai Ching-te, Zëvendëspresident dhe president i zgjedhur i Tajvanit
“Ky veprim jo vetëm që do të forcojë qëndrimin kundër autoritarizmit mes aleatëve të Perëndimit dhe Paqësorit, por gjithashtu do të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit, si edhe do të rrisë besimin në rajon lidhur me vendosmërinë e SHBA-së për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në rajon. Pra dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për Kongresin amerikan për miratimin e këtij legjislacioni, për të përmbushur angazhimin e tij ndaj sigurisë së Tajvanit.”
Zoti Lai i bëri komentet në një takim me një delegacion nga SHBA.