Senati miratoi me shumicë dërrmuese të martën ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, duke e çuar projekt-ligjin një hap më pranë nënshkrimit pas muajsh vonesash dhe debatesh të brendshme mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.
Projekt-ligji u miratua me një shumicë 79 vota pro dhe 18 kundër, një shumicë komode. Hapi i fundit është nënshkrimi nga Presidenti Joe Biden që pritet së shpejti.
Zoti Biden, i cili punoi me udhëheqësit e Kongresit për të sigutuar mbështetje, tha në një deklaratë menjëherë pas miratimit, se ai do ta nënshkruajë projekt-ligjin të mërkurën dhe do të nisë procesin e dërgimit të armëve në Ukrainë.
“Sot, një shumicë dypartiake në Senat iu bashkua Dhomës (së Përfaqësuesve) për t'iu përgjigjur thirrjes së historisë në këtë pikë kritike kthese ,” tha zoti Biden.
Miratimi i ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar ofensivën.
Presidenti Biden i tha të hënën homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy, se SHBA do të dërgojë furnizimet e mbrojtjes ajrore, sapo të miratohet legjislacioni.
Dhoma e Kongresit miratoi projekt-ligjin të shtunën përmes katër votimesh, duke e dërguar në Senat për miratim përfundimtar.
“Presidenti më ka siguruar se paketa do të miratohet shpejt dhe se do të jetë masive, duke forcuar mbrojtjen tonë ajrore si dhe aftësitë me rreze të gjatë veprimu dhe ato të artilerisë”, tha zoti Zelenskyy në një postim në platformën X.
Në fakt zyrtarët amerikanë thonë se Pentagoni është gati të dërgojë 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake në Ukrainë, pjesa më e madhe pas javëve të ardhshme.
Projekt-ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për përforcua mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.