Lidhje

Moskë, gjykata hedh poshtë apelimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich


Wall Street Journal reporter Evan Gershkovich stands in a glass cage in a courtroom at the First Appeals Court of General Jurisdiction in Moscow, Russia, April 23, 2024.
Wall Street Journal reporter Evan Gershkovich stands in a glass cage in a courtroom at the First Appeals Court of General Jurisdiction in Moscow, Russia, April 23, 2024.

Korrespondenti i gazetës amerikane “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich do të qëndrojë në burg nën akuzat për spiunazh të paktën deri në fund të qershorit, pasi një gjykatë në Moskë hodhi poshtë të martën apelimin e tij, që kërkonte përfundimin e masës së paraburgimit.

Tridhjetë e dy vjeçari amerikan u arrestua në fund të marsit 2023 ndërsa ishte në një udhëtim raportimi dhe ka kaluar më shumë se një vit në burg. Autoritetet ruse vazhdimisht po ia zgjasin kohën pas hekurave dhe po refuzojnë apelimet e tij. Muajin e kaluar, u zgjat sërish masa e paraburgimit, duke e lënë atë në burg deri më 30 qershor. Vendimi u apelua dhe gjykata e apelit në Moskë e hodhi poshtë atë të martën.

Sot në sallën e gjyqit, gazetari Gerhskovich, dukej i qetë dhe nganjëherë i buzëqeshur gjatë bisedave me anëtarët e ekipit të tij ligjor.

Arrestimi i tij në qytetin e Yekaterinburgut tronditi gazetarët e huaj në Rusi, ku autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi provat që kanë për të mbështetur akuzat për spiunazh.

Zoti Gershkovich dhe gazeta Wall Street Journal, i tij i kanë mohuar akuzat dhe qeveria amerikane e ka shpallur rastin e tij si një ndalim të padrejtë.

Analistët kanë vënë në dukje se Moska mund të përdorë amerikanët e burgosur në negociata politike me Shtetet e Bashkuara mbi operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë. Të paktën dy shtetas amerikanë të arrestuar në Rusi vitet e fundit, përfshirë yllin e basketbollit Brittney Griner, janë shkëmbyer me rusë të burgosur në Shtetet e Bashkuara.

Në dhjetor, Departamenti i Shtetit tha se kishte bërë një ofertë për të siguruar lirimin e gazetarit Evan Gershkovich dhe amerikanit Paul Whelan, i burgosur në Rusi për akuza spiunazhi. Sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, Moska e kishte refuzuar ofertën e tyre.

Zyrtarët nuk dhanë hollësi rreth ofertës, megjithëse Rusia thotë se po kërkon lirimin e Vadim Krasikovit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Gjermani në vitin 2021 për vrasjen në Berlin të Zelimkhan "Tornike" Khangoshvilit, një shtetas gjeorgjian me prejardhje çeçene, i cili kishte luftuar me trupat ruse në Çeçeni dhe më vonë kishte kërkuar azil në Gjermani.

Presidenti rus Vladimir Putin, kur u pyet këtë vit për mundësinë e lirimit të gazetarit Gershkovich, dukej se i referohej Krasikovit kur përmendi një burrë të burgosur nga një aleat i Shteteve të Bashkuara për "likuidimin e një banditi", i cili dyshohej se kishte vrarë ushtarë rusë gjatë luftës kundër separatistëve në Çeçeni.

Zyrtarët rusë nuk kanë bërë komente të tjera rreth këtyre bisedimeve. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë vazhdimisht se ndërsa "kontakte të caktuara" mbi shkëmbimet vazhdojnë, "ato duhet të bëhen në heshtje absolute".

Evan Gershkovich është gazetari i parë amerikan që arrestohet për akuza spiunazhi në Rusi që nga shtatori i vitit 1986, kur Nicholas Daniloff, korrespondent në Moskë i revistës amerikane “US News and World Report”, u arrestua nga KGB-ja.

Daniloff u lirua 20 ditë më vonë në këmbim të një punonjësi të misionit të Bashkimit Sovjetik në OKB, i cili u arrestua nga FBI-ja, bazuar në akuzat spiunazh.

XS
SM
MD
LG