Lidhje

Protesta në mbështetje të palestinezëve dhe tensione në kampuset e universiteteve amerikane


Universiteti i Kolumbias ka anulluar mësimin në auditorë, dhjetëra protestues u arrestuan në Universitetin Yale dhe dyert e Universitetit të Harvardit u mbyllën të hënën për publikun. Disa nga universitetet më prestigjioze amerikane u përpoqën të qetësojnë tensionin në kampuset universitare të krijuara për shkak të luftës së Izraelit me Hamasin.

Këto veprime pasuan arrestimin javën e kaluar të mbi 100 demonstruesve pro-palestinezëve, të cilët kishin ngritur tenda përpara Universitetit Kolumbia. Institucionet arsimore amerikane po vështirësohen në përcaktimin e kufijve mes lirisë së shprehjes dhe ruajtjes së sigurisë dhe gjithëpërfshirjes në kampuse.

Krahas demonstratave në këto universitete elitare amerikane, të mbiquajturat Ivy League, protesta pro-palestinezëve pati edhe në kampuse të tjera, përfshirë në Universitetin e Miçiganit, në Universitetin e Nju Jorkut dhe në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit.

Protestat i kanë kthyer studentët kundra njëri-tjetrit. Studentët pro-palestinezëve kërkojnë që universitetet e tyre të dënojnë sulmin e Izraelit në Gazë dhe të tërhiqen nga përfshirja me kompanitë që shesin armë për Izraelin. Ndërkohë, disa studentë hebrenj thonë se pjesa më e madhe kritikave ndaj Izraelit është shndërruar në anti-semitizëm dhe i ka bërë të ndjehen jo të sigurtë. Ata gjithashtu vënë në dukje se Hamasi ende po mban pengjet e marrë gjatë sulmit të 7 tetorit.

Tensionet vazhduan të larta të hënën në Universitetin e Kolumbias në qytetin e Nju Jorkut, ku dyert ishin mbyllur për personat që nuk kishin dokument studenti dhe ku protestat vazhdojnë nga brenda dhe jashtë universitetit.

Ligjvënësja demokrate Kathy Manning, e cila po vizitonte Universitetin e Kolumbias së bashku me tre ligjvënës të tjerë hebrenj, u tha gazetarëve pas takimit me anëtarët e Shoqatës së Studentëve Hebrenj të Juridikut, se ishin të zëna nga çadrat e protestuesve gati një e treta e hapësirave të blerta.

“Pamë parrulla se Izraeli duhet të shkatërrohet”, tha ajo pas largimit nga kampusi.

Një grua nga brenda kampusit udhëhoqi një grup protestuesish që dolën në rrugë duke thërritur “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë!”, një frazë kjo që mbart tensione dhe botëkuptime të ndryshme për grupime të ndryshme. Njëkohësisht, një grup i vogël protestuesish pro-Izraelit gjendeshin aty pranë.

Presidentja e universitetit, Minouche Shafik, tha në një mesazh drejtuar komunitetit të hënën se ishte “thellësisht e pikëlluar” nga çfarë po ndodhte në kampus.

“Për të ulur tensionet dhe për të na dhënë një shans që të shqyrtojmë hapat e ardhshëm, njoftoj se të gjitha klasat do të bëhen virtualisht të hënën”, shkruajti zonja Shafik, duke vënë në dukje se studentët që nuk jetojnë brenda kampusit duhet të largohen.

Robert Kraft, pronar i ekipit të futbollit amerikan New England Patriots dhe themelues i Qendrës Kraft për Jetën Hebreje Studentore, e ndodhur përballë kampusit të Universitetit Kolumbia, njoftoi se ka pezulluar dhënien e donacioneve për këtë universitet.

Protestat janë shtuar në shumë kampuse të kolegjeve amerikane që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izraelin jugor, kur militantët vranë mbi 1200 persona, shumica civilë dhe morën rreth 250 pengje. Në kundërpërgjigje, Izraeli ka vrarë mbi 34 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, sipas ministrisë vendase të shëndetësisë që nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve, por që thotë se të paktën dy të tretat e viktimave janë fëmijë dhe gra.

XS
SM
MD
LG