Lidhje

G7 rikonfirmon mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën


Italy G7 Foreign Ministers
Italy G7 Foreign Ministers

Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara të botës ripohoi mbështetjen e tij për Ukrainën, duke ofruar ndihmë për nevojat urgjente të financimit afatshkurtër dhe ato të rindërtimit afatgjatë. Gjermania do të organizojë një konferencë për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës në Berlin këtë vit, ndërsa Italia do të jetë mikëpritëse e një konference të ngjashme në 2025.

Të enjten, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha ministrit të jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një takim dypalësh në Kapri të Italisë, ku po mbahet takimi i ministrave të jashtëm të G7-ës, se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuar për të ndihmuar Kievin që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial nga agresioni i Rusisë, duke përfshirë sulmet e fundit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

U.S. Secretary of State Antony Blinken attends a bilateral meeting with Ukraine Foreign Minister Dmytro Kuleba on the sidelines of the G7 foreign ministers meeting on Capri Island, Italy, April 18, 2024.
U.S. Secretary of State Antony Blinken attends a bilateral meeting with Ukraine Foreign Minister Dmytro Kuleba on the sidelines of the G7 foreign ministers meeting on Capri Island, Italy, April 18, 2024.


Sulmet e fundit ndaj termocentralit bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës kanë rritur shqetësimet për mundësinë e një aksidenti të madh bërthamor.

Sekretari Blinken nënvizoi gjithashtu nevojën për një veprim urgjent nga Kongresi amerikan për të miratuar ndihmat për Ukrainën.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët pritet të hedhë për votim projektligjin mbi ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin që të shtunën.

"Në këtë kohë tensionesh, është një shenjë shpresëdhënëse që tani ka sinjale nga republikanët në SHBA se mbështetja për Ukrainën mund të vazhdojë me instensiteti të lartë", tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock gjatë një konference për shtypin.

Jens Stoltenberg
Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ministri i jashtëm ukrainas Kuleba më vonë morën pjesë në seancën e ministrave të jashtëm të G7-së, i cili ishte i përqendruar në mbështetjen e Ukrainës.

Zoti Stoltenberg tha se aleanca po punon në mënyrë aktive për ta furnizuar së shpejti Ukrainën me sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Në Uashington, ministrat e financave të G7-ës përfunduan bisedimet në sfondin e takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat filluan këtë javë.

Në një deklaratë, ministrat e financave të G7-ës thanë se po punojnë me Bashkimin Evropian për të "siguruar mbështetje financiare të qëndrueshme" për të mbuluar një pjesë të nevojave financiare të Ukrainës deri në vitin 2027, duke përfshirë mbështetjen për investime dhe qasje në burime financiare.

“Ne përsërisim angazhimin tonë për të mbështetur nevojat afatgjata të rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Ukrainës, të cilat Banka Botërore aktualisht vlerëson se mund të arrijnë në pothuajse 486 miliardë dollarë gjatë 10 viteve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të financave të vendeve të G7-ës.

XS
SM
MD
LG