Lidhje

Zgjedhje parlamentare në Kroaci


Kroatët po votojnë të mërkurën në zgjedhjet parlamentare pas një fushate të ashpër gjatë të cilës pati akuza e kundërakuza të rënda midis dy zyrtarëve të lartë të vendit. Në garë janë partia konservatore në pushtet, Bashkimi Demokratik Kroat i udhëhequr nga kryeministri Andrej Plenkoviç kundër një aleance të partive të qendrës dhe të krahut të majtë të udhëhequr jozyrtarisht nga presidenti populist Zoran Milanoviç. Nëse partia në pushtet fiton dhe krijon qeverinë e re, vendi do të vazhdojë në kursin pro-perëndimor. Nëse fiton koalicioni opozitar, atëherë kjo krijon mundësinë për ndikim më të fortë pro-rus në vend.

Zgjedhje parlamentare në Kroaci
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Kryeministri Andrej Plenkoviç, që është në pushtet nga viti 2016, po kërkon mandatin e tij të tretë. Presidenti Zoran Milanoviç, ish kryeministër nga viti 2011 deri në vitin 2016, dëshiron të bëhet Kryeministër para skadimit të mandatit presidencial, pak para fundit të vitit.

Fushata e tensionuar zgjedhore krijoi krizë politike në vendin ballkanik prej 3.9 milionë banorësh, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Analistët thonë se shumë gjëra janë në rrezik në garën për parlamentin 151-vendësh të Kroacisë, jo vetëm për vetë vendin, por edhe për Evropën, pasi vendi mund të ndryshojë kahje varëisht se kush fiton zgjedhjet.

Nëse Bashkimi Demokratik Kroat qëndron në pushtet, vendi do të ruajë kursin pro-perëndimor.

Një sukses i Social-Demokratëve krijon hapësirën për ndikim më të fortë pro-rus.

Votuesit nuk presin që gjërat të ndryshojnë shumë pas zgjedhjeve.

“Unë nuk mendoj se do të ndryshojë gjë. Fushata nuk ishte shumë e mirë, kishte shumë fyerje nga të gjitha anët. Sidomos për ne pensionistët, gjërat do të mbeten ashtu siç janë”, thotë Ljerka Majcen, pensioniste nga Zagrebi.

Partia në pushtet bëri fushatë duke iu kujtuar votuesve rritjen ekonomike të kohëve të fundit, të nxitur nga anëtarësimi i vendit në zonën ‘Schengen’ dhe në eurozonë.

Social Demokratët theksuan luftën kundër korrupsionit, pasi partia e Kryeministrit Plenkoviç është dëmtuar nga një mori skandalesh korrupsioni dhe hetimesh kundër zyrtarëve të lartë të partisë, përgjatë viteve të fundit.

“Pritja ime është që qeveria të ndryshojë pasi kemi duruar ata që janë në pushtet prej tetë vjetësh. Mendoj se është koha që njerëzit të zgjedhin dikë tjetër që ndoshta mund të jetë një zgjedhje më e mirë, të paktën shpresojmë se mund të jetë”, thotë pensionisti tjetër nga Zagrebi, Bozhidar Zupan.

Presidenti ka një rol kryesisht ceremonial në Kroaci, ndërsa kryeministri ushtron pjesën më të madhe të pushtetit politik.

Zoti Milanoviç, i cili si president cakton datën e zgjedhjeve, në mënyrë të pazakontë njoftoi muajin e kaluar se do të kandidonte në zgjedhje duke qenë ende në detyrë.

Gjykata e lartë e vendit vendosi se kjo ishte jokushtetuese dhe e ndaloi atë të bënte fushatë. Atij gjithashtu iu ndalua të paraqitej zyrtarisht në listat e kandidatëve dhe SDP-së iu ndalua që të bënte fushatë për të si kandidat për kryeministër.

“Unë dua që votuesit të zgjedhin një Kroaci ku respektohet kushtetuta. Dua që kroatët të votojnë për të qëndruar brenda familjes transatlantike dhe evropiane, ku ne jemi përpjekur të jemi gjatë tre dekadave të fundit”, tha kryeministri Plenkoviç, pasi votoi në Zagreb.

Pas vendimit të Gjykatës kundër kandidimit të tij, Presidenti vazhdoi të sulmonte gjykatën dhe partinë në pushtet nëpërmjet mediave sociale dhe paraqitjeve publike, përfshirë edhe ditën e votimit.

“Fatkeqësisht, kryeministri edhe sot, gjatë heshtjes zgjedhore, foli ashpër dhe tha idiotësira rreth shkeljes së Kushtetutës dhe respektimit të ligjit, megjithëse ai nuk e bën vetë këtë kur është fjala për kodin penal dhe atë të taksave”, tha Presidenti Milanoviç pasi hodhi votën e tij në Zagreb.

Sondazhet e fundit parashikojnë një fitore të Bashkimit Demokratik në pushtet, por pa vende të mjaftueshme në Parlament për të qeverisur i vetëm.

Duket e mundshme që disa parti më të vogla mund të jenë çelësi për formimin e shumicës.

Vendvotimet mbyllen në orën 19 dhe rezultatet e para priten rreth orës 22.

XS
SM
MD
LG