Lidhje

Xhemollari: Politika pengon pjesëmarrjen e shoqërisë civile në vendimmarrje


Rigels Xhemollari
Rigels Xhemollari

Rigels Xhemollari i cili drejton lëvizjen “Qëndresa Qytetare” në Shqipëri thotë se shoqëria civile po vepron në një terren përherë e më të ashpër, pasi po pengohet të depërtojë në politikat vendimarrëse, të cilat diktohen nga interesa politike dhe ekonomike. Sipas tij, qeveria dhe parlamenti nuk i konsideron rekomandimet apo aktivitetet e shoqërisë civile, por përkundrazi, shpesh i ka hedhur poshtë ato duke miratuar akte në dëm të qytetarëve. Megjithatë, zoti Xhemollari pranon se në Shqipëri ka shumë organizata fiktive. Ai vë në në dukje punën e SPAK-ut, që sipas tij po luftohet nga politika.

Xhemollari: Politika pengon pjesëmarrjen e shoqërisë civile në vendimmarrje
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:47 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Xhemollari, ju gjendeni në Shtetet e Bashkuara në kuadër të një programi që synon njohjen e praktikave më të mira për nxitjen e mirëqeverisjes. Si e shihni ju aktivizmin qytetar në vendin tuaj dhe veçanërisht përfshirjen e të rinjve?

Rigels Xhemollari: Kjo vizitë më njohu më shumë me mënyrën se si institucionet ishin transparente, se si ishin të hapura dhe se si i jepnin mundësi qytetarëve që të bëheshin pjesë e vendim-marrjes. Ajo që shoh unë në vendin tonë, ne jemi shumë larg kësaj qasjeje të institucioneve ndaj qytetarëve ose ndaj të rinjve, qoftë për mënyrën se sa të hapura janë institucionet tona, qoftë për mënyrën se si ato komunikojnë me qytetarët dhe sa marrin parasysh ato të cilat komunitetet rekomandojnë apo sugjerojnë në dëgjesa apo takime me vendimmarrësit.

Zëri i Amerikës: Në raportin e fundit, organizata Freedom Huouse vë në dukje zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile përgjatë vitit 2023, ku sipas saj, qeveria ka propozuar dhe parlamenti ka miratuar ligje pa konsulim me shoqërine civile qe është detyrim ligjor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Çfarë mendoni se ka ndikuar në këtë situatë?

Rigels Xhemollari: Në raportin e Freedom House përmendet edhe një nga rastet që ne kemi lobuar, kemi adovkuar. Është rasti i shkrirjes së Akademisë së Albanologjisë, e cila u shkri me Akademinë e Shkencave, ku ne si shoqëri civile, shkuam, protestuam, e çuam në gjykatë çështjen, një proces i cili vazhdon ende dhe parlamenti nuk mori parasysh këtë, nuk mori parasysh as reagimin e të gjithë akademikëve, të cilët kanë një kontribut shumë të madh në vendin tonë, që ishin pjesë e Albanologjisë, por mori parasysh një draft të përgatitur nga kryetari i Akademisë së Shkencave, pra as nga vetë parlamenti dhe e miratoi për interesat e tij të brendshme të Akademisë se Shkencave, ku e shkriu këtë akademi. Ky është një rast që tregon se si qeveria apo parlamenti nuk konsideron rekomandimet ose aktivitetet e shoqërisë civile.

Po ju them një rast tjetër që shkon në linjë me ketë që ju përmendët dhe lidhet me zgjedhjet. Ju e dini që ishte një komision i krijuar për reformën zgjedhore, ku ne si organizata të shoqërisë civile shkuam dhe çuam rekomandimet tona. Shkuam në Parlament. Një gardh prej disa deputetësh të opozitës nuk na lanë që të hynim brenda në mbledhjen e komisonit dhe mbledhja u zhvillua on line. Çfarë ndodhi? Pasi u bë një marrëveshje mes dy palëve politike, komisioni u shkri dhe brenda asaj salle hynë ata të cilët na penguan ne për të bërë rekomandimet tona.

Pra, klima për të pranuar opisione, rekomandime nga shoqëria civile është zvogëluar, ashtu siç e thotë raporti dhe është vështirësuar që ne të depërtojmë në politikë-bërje.

Ata që depërtojnë në politikë-bërje kryesisht janë interesat e bizneseve, e investimeve strategjike, e atyre të cilët influencojnë, siç e thotë edhe raporti edhe opinion-bërjen në vendin tonë. Pra ka një agjendë e cila shkon në një linjë tjetër, në një linjë që nuk i shërben qytetarëve, por i shërben interesave private.

Zëri i Amerikës: Vendi juaj përballet me një sërë sfidash, largimi shqiptarëve, ekonomia, dhe sfida të tjera që lidhen me drejtësinë, rendin. Megjithatë, mungon një zë i rëndesishëm i shoqërisë civile, ka organizata, por që nuk kanë rol të fuqishëm. A jeni dakord me këtë dhe si e shpjegoni?

Rigels Xhemollari: Nuk do bija dakord që zëri ynë nuk është shumë i rëndësishëm, por do bija dakord që ka shumë organizata dhe fiktiviteti i organizatave në vendin tonë është shumë i lartë. Bashkimi Europian, që vendi jonë po aspiron të hyjë, ka organizata të cilat janë shumë të forta. Ose këtu në Shtetet e Bashkuara, takova zëvendës presidenten “RepresentUs”, një organizatë e cila punon dhe fuqizon qytetarët që të marrin pjesë në vendim-marrje. Pashë që këtu zëri i qytetarëve nuk diskutohet nga institucionet, është i plotfuqishëm edhe është relevant për t’u marrë parasysh nga institucionet. Pra nuk është problemi tek shoqëria civile, problemi është diku tjetër, është atje ku politika gatuhet, si të thuash.

Ajo që unë jam optimist është fakti që drejtësia po funksionon në vendin tonë. Jam shumë optimist që qytetarët kanë filluar të besojnë dhe institucioni më i besuar në Shqipëri nga qytetarët është SPAK-u, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në nivelin 70 për qind, nga sondazhe vendase edhe të huaja. Dhe në këtë moment prandaj ka filluar dhe lufta ose beteja mes politikës dhe drejtësisë dhe këtu qytetarët duhet të zgjedhin anë, dhe duhet të mbajnë anën e drejtësisë, pasi në qoftë se do të mbajnë anën e politikës duhet të kuptojnë që vetëm një javë më parë u miratua ligji për amnistinë, që amnistoi 1100 të dënuar, mes tyre të dënuar për korrupsion nga Gjykata e Posaçme. Pra beteja tashmë është e hapur dhe krahu duhet kuptuar. SPAK-u sekuestroi në një vit 41 milionë euro pasuri nga politikanët dhe krimi i organizuar, ka 18 zyrtarë të lartë nën hetim dhe këtë e thotë edhe Freedom House në raportin e saj që SPAK-u po luftohet hapur dhe fshehur nga politika, por edhe nga klane të caktuara të biznesit.

Zëri i Amerikës: Një nga objektivat e lëvizjes suaj është edhe nxitja e llogaridhënies si edhe forcimi i mekanizmave kontrollues ndaj autoriteteve. Së fundmi ju keni hartuar një raport me shkeljet që ju pretendoni se kanë kryer 22 kryetarë bashkish në Shqipëri dhe i keni kërkuar SPAK-ut të hetojë. Për çfarë aktesh të paligjshme bëhet fjalë?

Rigels Xhemollari: Eshtë ajo që thotë Freedom House përsëri, sepse duhet të shkojmë prapë te raporti, që zyrtarët publikë dhe partia në pushtet përdori burime shtetërore në funksion të zgjedhjeve të 14 majit. Ne kemi depozituar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve denoncimet për këta kryebashkiakë të cilët vunë në dispozicion pushtetin e tyre për partinë dhe kjo sigurisht që ishte një indicie për ne për të shkuar në SPAK dhe për të dërguar 22 kryebashkiakë të cilët në analizën tonë ligjore shpërdoruan detyrën duke mos zbatuar rregullat që imponon KQZ-ja, por edhe përdorën burimet shtetërore e cila është një vepër penale që dënohet deri në tre vite burg. Dhe për shkak të staturës së tyre që janë kryetarë bashkie, SPAK-u është organi përgjegjës që mund të nisë hetimin për këta zyrtarë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni përfshirë gjithashtu edhe në një sërë fushatash që lidhen me sistemin parauniversitar dhe atë universitar në Shqipëri, duke kritikuar kuadrin ligjor. Si e shihni situatën aktualisht dhe çfarë përmirësimesh duhen bërë?

Rigels Xhemollari: Aktualisht ne jemi në një periudhë zgjedhore në universitetet tona. Pra do të ndryshojmë të gjithë drejtuesit e universiteteve dhe sfida më e madhe është të shkojmë drejt integritetit. Ka një mungesë të theksuar integriteti në universitetet tona, ka rektorë të cilët janë pasuruar nëpërmjet shpërdorimit të parave të studentëve dhe ne këtë e kemi vërtetuar në raportet tona ku paratë shkojnë për llaç, tulla, makina dhe jo për kërkim shkencor, libra apo për studentët, për shërbimet ndaj tyre.

Ka një sfidë tjetër e cila lidhet më makro me financimin e arsimit në vend dhe me mbajtjen e të rinjve brenda vendit pasi universiteti apo shkolla duhet të shihet si një mekanizëm i cili mund të mbajë të rinjtë në vend dhe në qoftë se nuk ofron shërbim cilësor, në qoftë se nuk ofron kushte minimale atëherë normalisht që qytetarët do të zgjedhin ose të emigrojnë ose të shkojnë në sektorin privat.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhemollari, së fundmi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Holta Zaçaj ngriti shqetësimin për mos zbatimin e vendimeve të Kushtetueses. Një prej tyre është edhe vendimi për mundësimin e votës së diasporës. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Rigels Xhemollari: Kjo do të thotë që reformat që gatuhen në Parlamentin tonë shkojnë për interesa të partive politike dhe jo për interesa të qytetarëve. Edhe vetë reforma zgjedhore, përmend rastin që ju thatë, nuk ka një interes pra nga partitë politike që të shkojnë te vota e diasporës, te listat e hapura, te mundësia e kandidatëve të pavarur për të ulur pragun (zgjedhor), që ka thënë përsëri Gjykata Kushtetese apo OSBE-ODIHR, por shkojnë tek ato pazare të mbyllura midis forcave politike të cilat rrisin potencialin e tyre për të përfituar politikisht. Pra kjo është dilema dhe kjo është zgjedhja që ne si qytetarë shqiptarë vihemi përballë kësaj klase politike.

XS
SM
MD
LG