Russell Bentley, një amerikan që luftoi kundër forcave ukrainase, është zhdukur në rajonin e kontrolluar nga Rusia, Donetsk në pjesën lindore të Ukrainës, tha policia të premten, duke shtuar se po zhvillohet një operacion kërkimi.
Sipas policisë, zoti Bentley u zhduk më 8 prill. Faqja e lajmeve në internet 'Mash‘ tha se ai ishte zhdukur pasi një zonë në qytetin e Donetsk-ut u granatua nga forcat ukrainase.
'Mash' citoi bashkëshorten e tij të thoshte se ai kishte shkuar për të parë nëse dikush kishte nevojë për ndihmë, por nuk ishte kthyer. Ajo u citua të thoshte se kishte gjetur makinën me kapelën e bejzbollit në të së bashku me celularin e tij të thyer dhe një palë syze.
Zoti Bentley, 64 vjeç, është një mbështetës i vetëshpallur i forcave të mbështetura nga Rusia në Ukrainë.
Ai u bashkua me luftëtarët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës në vitin 2014 dhe përdori pseudonimin ushtarak "Texas", njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve 'RIA'.
Njoftimi thoshte se zoti Bentley më vonë hoqi dorë nga lufta dhe filloi të punonte si gazetar për agjencinë e lajmeve 'Sputnik', një ent tjetër shtetëror rus, dhe kishte marrë nënshtetësinë e Rusisë.
Mediat shtetërore ruse thanë se ai ishte një korrespondent lufte.
Në vitin 2022, revista 'Rolling Stone' publikoi një intervistë me zotin Bentley me titullin "Historia e çuditshme se si një majtist i Teksasit u bë një propagandues i vijës së parë të frontit të Putinit".