Lidhje

Bashkëshortja e Julian Assange-it, pas komenteve të presidentit Biden: “gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur”


Stella Assange, bashkëshortja e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, duke hyrë në gjykatën e Londrës
Stella Assange, bashkëshortja e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, duke hyrë në gjykatën e Londrës

LONDËR – Bashkëshortja e Julian Assange-it tha të enjten se çështja ligjore ndaj bashkëshortit të saj “mund të jetë në drejtimin e duhur”, pasi presidenti amerikan Joe Biden konfirmoi se Shtetet e Bashkuara mund t’i tërheqin akuzat ndaj themeluesit të burgosur të rrjetit WikiLeaks.

Komentet u bënë ndërsa mbështetësit e tij në disa qytete u mblodhën për të kërkuar lirimin e zotit Assange, në përvjetorin e pestë të burgosjes së tij në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në Londër.

Presidenti Biden tha të mërkurën se administrata e tij po shqyrton një kërkesë të Australisë për t’i dhënë fund përpjekjeve prej një dekade tashmë të Shteteve të Bashkuara për procedimin gjyqësor të zotit Assange për publikimin e dokumenteve të klasifikuara amerikane. Ky propozim do të mundësonte që zoti Assange, shtetas i Australisë, të kthehej në atdheun e tij, në vend që të ekstradohej drejt Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me akuza për spiunazh.

Zyrtarët nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme, por Stella Assange tha se komentet janë “një shenjë e mirë”.

“Duket se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur”, i tha ajo kanalit BBC, duke shtuar se padia është “një trashëgimi e Trump-it dhe se Joe Biden-i duhet ta kishte tërhequr që në ditën e parë”.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se komenti është inkurajues.

“Zoti Assange ka paguar tashmë një çmim domethënës dhe kaq mjafton”, i tha zoti Albanese rrjetit Australian Broadcasting Corp.

Ndaj zotit Assange janë ngritur 17 akuza spiunazhi dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuterash, për publikimin e në faqen e tij të internetit të dokumenteve të klasifikuara amerikane gati 15 vite më parë. Prokurorët amerikanë thonë se 52-vjeçari Assange, inkurajoi dhe ndihmoi ish-analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që publikoi WikiLeaks, duke vënë në rrezik jetë njerëzish.

Australia thotë se ka një mospërputhje mes trajtimit nga Shtetet e Bashkuara të zotit Assange dhe të zonjës Manning. Presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama shkurtoi në shtatë vite dënimin që ishte dhënë me 35 vite burgim, duke mundësuar lirimin e saj në vitin 2017.

Mbështetësit e zotit Assange thonë se ai është një gazetar që mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për lirinë e shtypit dhe se ai ekspozoi shkeljet e ushtrisë amerikane në Irak dhe në Afganistan.

Zoti Assange ka qenë në burg që në vitin 2019, ndërsa vazhdon të kundërshtojë në gjykatë kërkesën për ekstradim dhe pasi kaloi shtatë vite i ngujuar në ambasadën ekuadoriane në Londër, për të shmangur dërgimin e tij në Suedi ku akuzohej për përdhunim dhe sulm seksual.

Marrëdhënia e tij me strehuesit ekuadorianë u përkeqësua dhe ai u dëbua nga ambasada në prill 2019. Policia britanike e arrestoi atë menjëherë dhe e burgosi në Belmarsh, për shkelje të lirimit me kusht në vitin 2012.

Qeveria britanike firmosi një urdhër ekstradimi në vitin 2022, por gjykata britanike vendosi muajin e kaluar se zoti Assange nuk mund të dërgohej për në Shtetet e Bashkuara, nëse autoritetet amerikane nuk munden të garantojnë se atij nuk do t’i jepet dënimi me vdekje.

Një tjetër seancë dëgjimore është caktuar për në datën 20 maj.

Zoti Assange ka qenë i sëmurë dhe nuk ka marrë pjesë në seancat më të fundit gjyqësore. Stella Assange ka thënë se shëndeti i bashkëshortit të saj vazhdon të përkeqësohet në burg dhe druhet se ai mund të vdesë në burg.

Kryeredaktorja e rrjetit WikiLeaks, Kristinn Hrafnsson tha se themeluesi i WikiLeaks-it i priti si “një rreze shprese” komentet e presidentit Biden.

Zonja Hrafnsson, e cila vizitoi burgun Belmarsh të enjten, tha se zoti Assange u shfaq “në gjendje të qëndrueshme”, por “ jo të mirë”.

“Ajo që e mban gjallë është familja dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga jashtë burgut”, tha ajo.

XS
SM
MD
LG