Shtetet e Bashkuara dhe Japonia festuan të mërkurën aleancën e tyre prej dekadash, ndërsa Presidenti Joe Biden priti kryeministrin Fumio Kishida në Shtëpinë e Bardhë për një darkë shtetërore. Vizita e udhëheqësit japonez shënon një forcim të rëndësishëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes dhe teknologjisë.
Presidenti Joe Biden e quajti Kryeministrin e Japonisë Fumio Kishida një udhëheqës vizionar dhe të guximshëm në Azi dhe më gjerë.
"Kur Rusia filloi sulmin brutal ndaj Ukrainës dy vjet më parë, ai nuk hezitoi të dënonte, të vendoste sanksione dhe të izolonte Rusinë, si dhe të jepte miliarda dollarë ndihma për Ukrainën", tha Presidenti Biden.
Udhëheqësit njoftuan nisma të reja, duke përfshirë një mision të përbashkët në hënë, investime në prodhimin e mikroprocesorëve dhe për energjinë e pastër, si dhe kërkime në teknologjinë kuantike dhe inteligjencën artificiale.
Por ata u përqendruan më shumë në rritjen e bashkëpunimit ushtarak në Detin e Kinës Jugore dhe mbrojtjen ajrore.
“Për herë të parë, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Australia do të krijojnë një sistem të mbrojtjes nga raketat”, tha Presidenti Biden.
Do të ketë një përmirësim të komandës dhe kontrollit të ushtarëve amerikanë dhe japonezë, duke rritur bashkëpunimin operacional mes dy ushtrive.
Me rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes dhe kapacitetin e teknologjisë së lartë, Tokio është bërë një aleat kyç në arkitekturën strategjike rajonale të Presidentit Biden për të frenuar Kinën.
Japonia do të fillojë të mbështesë organizatën AUKUS, e cila është një partneritet midis Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Britanisë, tha kryeminstri Kishida.
“Japonia ende nuk ka vendosur nëse do të ketë një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me AUKUS-in. Por ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dypalësh apo shumëpalësh me Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Australinë”, tha kryeminstri japonez.
Presidenti Biden dhe kryeministri Kishida do të marrin pjesë në një takim trepalësh të enjten, në të cilin do të marrë pjesë edhe Presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr., një tjetër aleat i Shteteve të Bashkuara.
Ky takim do të përqëndrohet në lirinë e lundrimit për shkak të rritjes së tensioneve mes Pekinit dhe Manilës në Detin e Kinës Jugore.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, tha se lëvizjet e Shteteve të Bashkuara nxisin konfrontimin.
“Asnjë ndërhyrje e jashtme nuk do të ndikojë në vullnetin dhe vendosmërinë e Kinës për të mbrojtur sovranitetin e saj territorial, të drejtat dhe interesat e saj detare”, tha ajo.
Kryeministri Kishida gjithashtu ofroi zëvendësimin e qindra pemëve të qershive në Uashington, të cilat do të hiqen për shkak të projekteve të ndërtimit. Qeveria japoneze dhuroi 3000 pemë qershish në vitin 1912, lulëzimi i të cilave tërheq mijëra turistë në Uashington çdo vit në pranverë.
Të mërkurën në mbrëmje, Presidenti Biden shtroi një darkë shtetërore për kryeministrin Kishida, udhëheqësi i pestë i huaj që nderohet me këtë që kur Presidenti Biden mori detyrën.