Lidhje

Lufthansa pezullon fluturimet në Iran mes krizës në Lindjen e Mesme


Kompania ajrore Lufthansa tha të mërkurën se ka pezulluar që nga 6 prilli të gjitha fluturimet vajtje-ardhje me Iranin. Kompania gjermane tha se pezullimi do të vazhdojë me gjasa deri më datën 11 prill për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Vendet në rajon si dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gatishmëri të lartë duke u përgatitur për një sulm të mundshëm nga Irani në përgjigje të një sulmi të dyshuar ajror izraelit ndaj konsullatës iraniane në Siri më 1 prill.

“Po ndjekim nga afër situatën në Lindjen e Mesme dhe jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet. Siguria e udhëtarëve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit është përparësia kryesore e Lufthansa-s”, tha një zëdhënës i kompanisë për agjencinë e lajmeve Reuters. Zëdhënësi tha se kompania nuk njoftoi menjëherë pezullimin e fluturimeve ditën që hyri në fuqi.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën se Izraeli "duhet të dënohet dhe do të ndëshkohet" për sulmin ndaj kompleksit të ambasadës iraniane në Damask.

Në një përgjigje të dukshme ndaj zotit Khamenei, Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha të mërkurën se Izraeli do të përgjigjet nëse Irani e sulmon Izraelin nga territori e tij.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët besojnë se Irani ose përfaqësuesit e tij do të ndërmarrin sulme të fuqishme me raketa ose dron kundër objektivave ushtarake dhe qeveritare në Izrael, njoftoi rrjeti Bloomberg të mërkurën në mbrëmje, duke cituar burime sigurie amerikane dhe izraelite.

Më 8 janar të vitit 2020, Garda Revolucionare e Iranit rrëzoi një aeroplan pasagjerësh të një kompanie ukrainase pak pas ngritjes nga aeroporti i Teheranit. Sulmi erdhi mes tensioneve të larta midis Teheranit dhe Uashingtonit pas vrasjes së një komandanti të lartë të gardës iraniane nga një sulm amerikan me dron në aeroportin e Bagdadit.

Teherani tha më vonë se rrëzimi i avionit ukrainas ishte një "gabim katastrofik" nga forcat që ishin në gatishmëri të lartë.

Si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani, udhëheqës i forcave elite Quds, forcat iraniane qëlluan me raketa bazat ushtarake në Irak që strehonin trupat amerikane.

Irani është mbështetës i grupeve që janë përfshirë në luftime në të gjithë rajonin pas ndërhyrjes së Izraelit në Gazë të shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor në Izrael.

XS
SM
MD
LG