Lidhje

IAEA paralajmëron për rrezikun nga sulmet në centralin bërthamor të Zaporizhias


Shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore, dënoi të dielën një sulm me dronë në një nga gjashtë reaktorët në Centralin e Zaporizhias të kontrolluar nga Rusia, duke thënë se sulme të tilla "rrisin ndjeshëm rrezikun e një aksidenti të madh bërthamor".

Në një deklaratë në platformën e mediave sociale X, Rafael Mariano Grossi konfirmoi të paktën tri goditje të drejtpërdrejta. "Kjo nuk duhet të ndodhë", tha ai.

Rusia fajësoi Ukrainën për sulmin, por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bërthamore nuk fajësoi asnjërën palë.

Një zyrtar ukrainas i zbulimit tha se Kievi nuk kishte asnjë lidhje me ndonjë sulm në central.

"Sulmet ruse, duke përfshirë ato imituese, në territorin e centralit bërthamor të Ukrainës ... kanë qenë prej kohësh një praktikë e njohur kriminale e pushtuesve", tha zëdhënës i Drejtorisë kryesore të Zbulimit, HUR të Ukrainës, Andriy Usov.

Zoti Grossi tha se ky ishte sulmi i parë i tillë që nga nëntori i vitit 2022, kur ai përcaktoi pesë parime bazë për të shmangur një aksident të rëndë bërthamor me pasoja radiologjike.

Zyrtarët e centralit thanë se vendi u sulmua të dielën nga dronët ushtarakë ukrainas. Sipas tyre, nuk pati dëme të rënda apo viktima dhe nivelet e rrezatimit në central ishin normale pas goditjeve. Më vonë të dielën, megjithatë, agjencia shtetërore bërthamore ruse, Rosatom, tha se tre persona u plagosën në një "seri të pashembullt të sulmeve me dronë", veçanërisht kur një dron goditi një zonë afër mensës së centralit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore konfirmoi në një deklaratë dëmet fizike nga sulmet me dronë në central, duke përfshirë një nga gjashtë reaktorët e tij.

“Dëmtimi në njësinë 6 nuk ka komprometuar sigurinë bërthamore, por ky është një incident serioz me potencial për të dëmtuar integritetin e sistemit të kontrollit të reaktorit”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

Centrali është gjetur nën sulme që kur Moska dërgoi trupat e saj në Ukrainë në vitin 2022 dhe pushtoi objektin menjëherë pas agresionit. Agjencia e OKB-së ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për centralin bërthamor, më i madhi në Evropë, mes frikës për një katastrofë të mundshme bërthamore. Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë akuzuar rregullisht njëra tjetrën për sulme ndaj centralit që është ende afër vijës së frontit.

Gjashtë reaktorët e termocentralit janë mbyllur prej muajsh, por ai ende ka nevojë për energji dhe personel të kualifikuar për të operuar sistemet thelbësore të ftohjes dhe funksionet e tjera të sigurisë.

XS
SM
MD
LG