Në Hot të Malësisë së Madhe në Shqipëri, u përkujtua të shtunën Kryengritja Antiosmane e vitit 1911, e cila i parapriu Shpalljes se Pavarësisë.
Në përkujtimin e kësaj ngjarjeje ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili vlerësoi traditat atdhetare dhe kulturore te trevës së Malësisë së Madhe.
“Kjo trevë është djepi i artdhedashurisë dhe patriotizmit. Është trevë që zemra ju këndon me lahutën e malësisë, ku ju vallëzoni me xhubletën tuaj që është pronë shqiptare dhe botërore tashmë. Dhe nga kjo trevë nisi Pavarësia e Shqipërisë”, tha Presidenti Begaj.
Ai u shpreh edhe për rendësinë që ka kjo ngjarje në ditët e sotme.
“6 prilli i vitit 1911 është një ngjarje e madhe për shqiptarët pasi u ngrit dhe u valëvit për herë të parë flamuri i Skënderbeut. Tregoi që shqiptarët ishin të ndërgjegjshëm për Pavarësinë e tyre, për të punuar bashkërisht për të pasur një komb shqiptar në të ardhmen. Është shembull i qartë se si duhet të punojmë ne si politikanë dhe si qytetarë në të ardhmen”.
Nën udhëheqjen e prijësit popullor Dedë Gjo Lulit, malësorët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Trieshit, Kojës, Shkrelit dhe viseve tjera, pas 23 betejave të përgjakshme kundër ushtrisë osmane, arritën të ngrinin për herë të parë flamurin kombëtar pas afër 500 vitesh robëri, sinjal, që sipas kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, ishte dëshmi e vendosmërisë së malësorëve per t'u shkëputur nga perandoria osmane.
“Nuk ishte një luftë thjesht lokale. Një luftë që kryetrimi Dedë Gjo Luli ishte në krye të 3 mijë luftëtarëve dhe këto luftëtarë ishin prej të gjitha trevave. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën për të valëvitë flamurin në Deçiç në 1911”.
Në ceremonitë e sotme, në përkujtim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, morën pjesë edhe përfaqësues të viseve shqiptare përtej kufirit, në Mal të Zi. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, në Mal të Zi, Bujar Hasangjekaj, tha se për vlerat e saj Kryengritja e Malësisë së Madhe shënohet kudo në trevat shqiptare.
"Ata bënë gjithçka, sakrifikuan gjithçka, madje edhe jetën e tyre për të çliruar trojet shqiptare. Pra, ne të përbashkët kemi gjithçka; kemi historinë, kemi kulturën, gjuhën, flamurin dhe, mbi të gjitha, të përbashkët kemi edhe të ardhmen tonë”.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është deshmi e qëndresës dhe vendosmërisë së malësorëve për pavarësi, mbrotjen e trojeve dhe idenditetit
kombëtar. Për kontriburin në historinë kombëtare Malësia e Madhe është nderuar me urdhërin “Nderi i Kombit”.