Lidhje

Presidenti Biden tek ura e rrëzuar në Baltimorë


Presidenti Biden në bordin e helikopterit Marine One, duke parë nga afër dëmet
Presidenti Biden në bordin e helikopterit Marine One, duke parë nga afër dëmet

BALTIMORË – Presidenti Joe Biden pati mundësinë të premten të shikojë nga afër përpjekjet për heqjen e rrënojave të urës “Francis Scott Key Bridge” të rrëzuar në Baltimorë, ndërsa vinçat, anijet dhe ekipet zhytëse vazhdojnë punën për të rihapur një nga linjat më të ngarkuara të transportit detar në Shtetet e Bashkuara.

Në bordin e helikopterit presidencial Marine One, që kaloi përmes strukturave të mbetura metalike, si dhe mjeteve dhe paisjeve që përpiqen të heqin rrënojat e shembjes së javës së kaluar, presidenti Biden pa nga afër përmasat e shkatërrimit. Pas uljes në tokë, atij ndoqi një seancë informimi nga zyrtarët vendas, nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara dhe Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë, në lidhje me situatën në det dhe pasojat për rajonin.

Gjatë seancës së informimit operacional për urën e rrëzuar
Gjatë seancës së informimit operacional për urën e rrëzuar

Presidenti Biden përshëndeti gjithashtu oficerët e policisë që ndihmuan për të ndalur trafikun mbi urë në momentet pak përpara se të goditej nga anija, gjë që ndihmoi për të shmangur një humbje edhe më të madhe të jetëve.

“Kam ardhur për t’ju thënë se vendi ju mbështet dhe e them këtë me bindje”, tha presidenti Biden nga bregu përballë urës së rrëzuar. “Vendi ju mbështet”.

Tetë punëtorë, emigrantë nga Meksika, Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, po punonin për të riparuar asfaltin e dëmtuar mbi urë, kur goditi anija e madhe e mallrave në mesnatën e 26 marsit. Dy persona u shpëtuan, por trupat e vetëm dy nga gjashtë viktimat arritën të gjenden. Presidenti u takua pranë urës të premten me familjet e viktimave, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Dëmi është shkatërrimtar dhe zemrat i kemi ende të lënduara”, tha presidenti Biden.

Presidenti Biden duke folur në bregun pranë urës (Dundalk, Maryland, 5 prill 2024)
Presidenti Biden duke folur në bregun pranë urës (Dundalk, Maryland, 5 prill 2024)

Është arritur të krijohet një kanal i përkohshëm alternativ për mjetet detare që punojnë për heqjen e rrënojave. Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë shpreson të çelë deri në fund të këtij muaji një kanal me qasje të kufizuar për disa lloje anije mallrash dhe mjete të tjera detare që transportojnë automjete dhe paisje bujqësore. Ndërsa sipas Shtëpisë së Bardhë, synohet që deri më 31 maj të rikthehet në kapacitet të plotë porti i Baltimorës.

Kjo do të ishte një arritje e rëndësishme pasi vonesat e mëtejshme për rihapjen e linjave të transportit mund të krijonin vështirësi të mëtejshme për ekonominë. Në një ditë normale, rreth 200 milionë dollarë mallra kalojnë në portin e Baltimorës, që shërben si një nyje kryesore për importin dhe eksportin e automjeteve.

Administrata Federale e Autostradave ka dhënë tashmë 60 milionë dollarët e parë si ndihmë emergjence për fillimin e operacioneve të pastrimit. Është megjithatë e paqartë se sa do të jetë kostoja e përgjithshme për riparimin e urës, megjithëse disa ekspertë vlerësojnë se do të kushtojë të paktën 400 milionë dollarë dhe do të duhen të paktën 18 muaj punime.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se do t’i kërkojë Kongresit autorizimin që qeveria federale të mbulojë 100% të kostove për heqjen e rrënojave dhe riparimin e urës. Megjithatë, disa ligjvënës republikanë kanë bërë thirrje që një fond i tillë të kushtëzohet me shkurtime të tjera në buxhetin e qeverisë.

XS
SM
MD
LG