Trysnia ndaj Shteteve të Bashkuara për të mos i shitur armë Izraelit është shtuar pas vdekjes së shtatë punonjësve të një organizate humanitare në një sulm ajror izraelit këtë javë. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, administrata e Presidentit Biden nuk tregon shenja se do ta kushtëzojë mbështetjen e saj ushtarake për Izraelin.
Një anije e organizatës humanitare “World Central Kitchen” u largua nga Rripi i Gazës dhe u kthye në Qipro të mërkurën. Ushqimet që ishin për të zhvendosurit në Gazë nuk u dorëzuan, pasi sulmet ajrore izraelite vranë shtatë nga punonjësit e saj, duke përfshirë njërin që kishte shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe kanadeze.
Kjo ka shtuar kërkesat që administrata e Presidentit Biden të kufizojë dërgimin e armëve për Izraelin. Por Shtëpia e Bardhë nuk duket se do ta bëjë këtë.
“Ne ende po mbështesim të drejtën e tyre për të mbrojtur veten dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne gjithashtu do të presim rezultatin e hetimit. Unë nuk do të flas për vendime që nuk janë marrë ende”, thotë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Ndihmat amerikane për Izraelin kapin vlerën 4 miliardë dollarë në vit, pjesa më e madhe e tyre janë ndihma ushtarake.
Sipas ligjit, Shtëpia e Bardhë duhet të njoftojë Kongresin për transferimin e armëve në Izrael kur vlera e tyre kalon shifrën 25 milionë dollarë. Që nga sulmi i 7 tetorit në pjesën jugore të Izraelit nga Hamasi, grupi militant palestinez që është përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, Kongresi është njoftuar për katër dërgesa, thotë Josh Paul, ish-drejtor në agjencinë e Departamentit të Shtetit që merret me transferimin e armëve.
“Dy prej tyre u bënë ndërsa administrata përdori autoritetin e urgjencës që të kishte mundësi të shmangte afatin e duhur kohor për të njoftuar Kongresin. Dy prej tyre u bënë si shitje të drejtpërdrejta dhe Kongresi është njoftuar. Por për këto dy shitje ka pasur pak informacion për publikun, sepse kështu ndodh me shitjet e drejtpërdrejta”, thotë Josh Paul, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Një zyrtar i departamentit të mbrojtjes, i cili foli për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, konfirmoi raportimin e gazetës “Washington Post” se që nga 7 tetori, mbi njëqind transferime armësh në Izrael janë bërë pa informuar Kongresin. Kjo ndodhi pasi dërgesat qëllimisht u strukturuan që të kishin një vlerë që nuk e tejkalon pragun i cili e detyron Shtëpinë e Bardhë të njoftojë Kongresin.
“Kur ata thonë publikisht se Izraeli duhet të ndërmarrë më shumë hapa për të mbrojtur civilët, por privatisht dërgojnë armë me vlerë prej qindra miliona dollarësh, besueshmëria e administratës humbet pasi ajo refuzon të përdorë mjetin që ka për të ushtruar trysni. Pra, mjeti më i fuqishëm për trysni është sasia masive e armëve që i jepen Izraelit”, thotë Ari Tolany nga Qendra për Politikat Ndërkombëtare.
Që kur Harry Truman njohu Izraelin, pak minuta pas themelimit të tij në vitin 1948, Presidentët amerikanë e kanë mbështetur atë, pothuajse pa kushte.
Përveç Presidentit George Bush, i cili në vitin 1991 i dha Izraelit një ultimatum për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve në tokën palestineze në këmbim të një ndihme prej 10 miliardë dollarësh në formën e garancive për kredi.
Kjo qasje funksionoi. Por jo të gjithë pajtohen se kufizimi i ndihmës do të sjellë ndryshim.
“Sigurimi i mjeteve të një vendi për mbrojtjen e tyre është një çështje emocionale që ndonjëherë mund të shkaktojë reagime të ndryshme. Ky është një mjet jo i drejtë që Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur në të kaluarën. Unë mendoj se këtë e ka parasysh administrata e tanishme dhe mendoj se kur i shtojmë kësaj përkushtimin afatgjatë të presidentit në përkrahje të Izraelit, këto janë arsyet pse nuk kemi parë ndonjë hap të vërtetë në këtë drejtim”, thotë Grant Rumley, nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.
Presidenti Joe Biden tha në një deklaratë se ai është “i indinjuar dhe i lënduar” nga vdekja e punonjësve të organizatës “World Central Kitchen”, kritika e tij më e ashpër për Izraelin.
Megjithatë, ai refuzon t'i përgjigjet pyetjes që po bëjnë shumë, “A po e shqyrton administrata mundësinë e kushtëzimit të ndihmave ushtarake?”