Lidhje

Blinken thirrje Izraelit të kryejë hetime të menjëhershme për sulmin ndaj punonjësve humanitarë


Nga Parisi, ku po qëndron për një vizitë zyrtare, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Izraelit të kryejë “një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm për të kuptuar se çfarë ndodhi saktësisht ” në sulmin që vrau punonjësit e ndihmave. Zoti Blinken tha se punonjësit e ndihmave duhet të mbrohen.

Duke folur për agresion e Moskës ndaj Kievit, Sekretari Blinken theksoi se Ukraina gjendet në një “moment kritik” në përballjen me Rusinë dhe ka nevojë për mbështetje urgjente nga Perëndimi. Duke shprehur zemërimin mbi bllokimin nga Kongresi të paketës së ndihmave prej miliarda dollarësh për Ukrainën, zoti Blinken tha se “është jetike që ukrainasit të furnizohen me të gjithçka që u nevojitet për t’u mbrojtur, sidomos kur është fjala për municione dhe mbrojtjen ajrore”.

Presidenti francez Emmanuel Macron në javët e fundit ka mbajtur një qëndrim për veprime më të forta ndaj Rusisë, mes frikës se Ukraina po humbet terren në luftë, sidomos pas pakësimit të ndihmës amerikane.

Ngjarjet në Lindjen e Mesme pritet të jenë gjithashtu në qendër të vizitës së Sekretarit Blinken.

Vizita e Sekretarit Blinken në Paris është pjesë e një vizite më të gjërë në Evropë, që krahas bisedimeve për përkrahjen Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus, parandalimit të zgjerimit të luftës së Gazës në Lindje të Mesme dhe stabilizimit të krizës në Haiti, përfshin pjesëmarrjen e zotit Blinken në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, që përkon me shënimin e 75 vjetorit të Aleancës Ushtarake.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, më 5 prill, Sekretari Blinken po ashtu pritet të marrë pjesë në një takim trepalësh me Kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin armen Nikol Pashinyan për përkrahur zhvillimin ekonomik të Armenisë krahas përpjekjeve të këtij vendi për të zgjeruar marrëveshjet tregtare.

XS
SM
MD
LG