Lidhje

Fitore historike e opozitës në zgjedhjet lokale në Turqi


Partia kryesore opozitare turke ruajti kontrollin e saj mbi qytetet kryesore dhe shënoi fitore të rëndësishme në qytete të tjera në zgjedhjet lokale të së dielës, në një goditje për presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili synonte të rimarrë kontrollin e zonave të mëdha urbane.

Me më shumë se 90 për qind të votave të numëruara, kryebashkiaku aktual i Stambollit Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane (CHP), kryeson me një diferencë të madhe në qytetin më të madh dhe qendrën ekonomike të Turqisë. Sipas agjencisë shtetërore Anadolu, Mansur Yavas, kryebashkiaku i kryeqytetit, Ankara, ruajti postin e tij me një diferencë të thellë përballë rivalit të tij.

Në përgjithësi, sipas agjencisë Anadolu, CHP-ja fitoi bashkitë në 36 nga 81 provincat e Turqisë, duke thyer shumë fortesa të partisë së presidentit Erdogan. Ajo fitoi 37 për qind të votave në mbarë vendin, krahasuar me 36 për qind sa fitoi partia e presidentit, duke shënuar fitoren më të madhe elektorale të CHP-së që kur zoti Erdogan mori pushtetin dy dekada më parë.

Presidenti Erdogan e pranoi realitetin e ri në një fjalim nga ballkoni i pallatit presidencial, duke thënë se partia e tij pësoi rënie në gjithë Turqinë. Qytetarët dhanë një "mesazh" që partia e tij do ta "analizojë" duke u angazhuar në autokritikë "të guximshme", tha ai.

“Fatkeqësisht, nëntë muaj pas fitores sonë në zgjedhjet e 28 majit, nuk arritëm rezultatin që dëshironim në sprovën e zgjedhjeve lokale”, shtoi presidenti Erdogan. "Ne do të korrigjojmë gabimet tona dhe do t'i korrigjojmë të metat tona”, tha ai.

Vota u pa si një matje e popullaritetit të presidentit Erdogan, ndërsa u përpoq të rifitonte kontrollin e zonave kryesore urbane që humbi në zgjedhjet lokale pesë vjet më parë. Fitorja e CHP-së në Ankara dhe Stamboll në vitin 2019, kishte shkatërruar aureolën e pathyeshmërisë së zotit Erdogan.

Fushëbeteja kryesore për presidentin 70-vjeçar turk ishte Stambolli, një qytet me 16 milionë banorë, ku ai lindi dhe u rrit dhe ku filloi karrierën e tij politike si kryetar bashkie në vitin 1994.

Rezultati duket një shtytje për opozitën, e cila mbeti e ndarë dhe e demoralizuar pas një disfate përballe zotit Erdogan dhe partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, (AKP), me orientim islamik, në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar.

"Votuesit vendosën për një rend të ri politik në Turqi", tha kryetari i CHP-së Ozgur Ozel para një turme mbështetësish të ngazëllyer. “Sot, votuesit vendosën të ndryshojnë tablonë 22-vjeçare në Turqi dhe të hapin derën e një klime të re politike në vendin tonë”.

Rreth 61 milionë njerëz, kishin të drejtë vote. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, në zgjedhje morën pjesë 76 për qind e tyre, ndryshe 87 për qind sa dolën në zgjedhjet e kaluara.

Rreth 594,000 pjesëtarë të forcave të rendit ishin angazhuar për të siguruar votimet. Megjithatë, një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën në qytetin e Dijarbakirit, ku një mosmarrëveshje për zgjedhjen e një administratori të lagjes u shndërrua në dhunë, njoftoi agjencia shtetërore Anadolu. Të paktën gjashtë persona u plagosën gjithashtu në përleshjet që shpërthyen në provincën e afërt të Sanliurfas.

“Sipas të dhënave, duket se besimi i qytetarëve tanë tek ne, besimi i tyre tek ne, ka dhënë rezultat”, tha kryebashkiaku i rizgjedhur i Stambollit, Imamoglu.

Ai fitoi 50.6 për qind të votave në Stamboll, ndërsa kandidati i AKP-së Murat Kurum, një ish ministër, mori 40.5 për qind. Anketat kishin parashikuar një garë të ngushtë mes tyre.

Ekrem Imamoglu, një personalitet popullor që shihet si një sfidues i mundshëm i ardhshëm i presidentit Erdogan, kandidoi pa mbështetjen e disa prej partive që e ndihmuan atë të fitonte në vitin 2019. Si Partia pro-kurde e Barazisë dhe Demokracisë së Popullit, ashtu edhe Partia nacionaliste IYI, paraqitën kandidatët e tyre në garë.

Një aleancë prej gjashtë partive opozitare që udhëhiqej nga CHP-ja, u shpërbë pasi dështoi të rrëzonte Erdoganin në zgjedhjet e vitit të kaluar, në pamundësi për të përfituar nga kriza ekonomike dhe reagimi fillimisht i dobët i qeverisë ndaj tërmetit shkatërrues të vitit të kaluar, që la pas vetes më shumë se 53,000 të vdekur.

Në juglindjen e Turqisë të populluar kryesisht nga kurdët, Partia DEM ishte në rrugën e duhur për të fituar shumë nga komunat, por është e paqartë nëse do të lejohet t’i mbajë ato. Në të kaluarën, qeveria e presidentit Erdogan shkarkoi kryebashkiakët e zgjedhur pro-kurdë nga detyra për lidhje të dyshuara me militantët kurdë dhe i zëvendësoi ata me administrues të besuar, të caktuar nga shteti.

XS
SM
MD
LG