Lidhje

Ushtria izraelite njofton eliminimin e një komandanti të rëndësishëm të Hezbollahut në Liban


Ushtria izraelite njoftoi se një sulm ajror vrau një komandant të Hezbollahut në Liban të dielën ndërsa udhëtonte me një automjet. Zyrtarët thanë se goditja ajrore eliminoi Ismail Al-Zin, komandant i njësisë së raketave antitank të Forcave Radwan të Hezbollahut.

“Al-Zin kishte njohuri të rëndësishme në përdorimin e raketave kundër tankeve dhe ishte përgjegjës për dhjetëra sulme kundër civilëve izraelitë, komuniteteve dhe forcave të sigurisë”, tha ushtria izraelite.

Një burim i afërt me Hezbollahun tha se Al-Zin nuk ishte një figurë e lartë, por konfirmoi se ai ishte në njësinë e tij elitare, Radwan.

Deri më tani, Izraeli ka eliminuar 25 anëtarë të njësisë, mes tyre të paktën tre komandantë. Një prej tyre ishte edhe oficeri i lartë i Hezbollahut, Wissman Tawil, i cili luajti një rol kryesor në drejtimin e operacioneve në pjesën jugore të Libanit.

Hezbollahu filloi lëshimin e raketave nga majat e kodrave dhe fshatrave në Libanin jugor në drejtim të Izraelit më 8 tetor në mbështetje të aleatit të tij palestinez Hamas-it, i cili kreu një masakër brenda Izraelit një ditë më parë dhe mori pengje izraelite. Sulmi i Hamasit i vitit të kaluar shkaktoi reagimin e ashpër të Izraelit me forca tokësore, ajrore dhe detare në Rripin e Gazës.

Sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar vrasjen e afro 270 luftëtarëve të Hezbollahut dhe rreth 50 civilëve, mes tyre fëmijë, mjekë dhe gazetarë. Sulmet kanë goditur edhe objekte të ushtrisë libaneze dhe Forcat e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë kërkuar arritjen e një zgjidhjeje diplomatike mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa kjo e fundit ka thënë se nuk do t’i ndalojë sulmet përpara se të zbatohet një armëpushim në Gaza.

XS
SM
MD
LG