Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kritikoi të premten ashpër perëndimin për qasjen ndaj Kosovës së cilës i është bërë ftesë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe Republikën Serbe në Bosnjë, duke paralajmëruar se në muajin prill në OKB mund të paraqitet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.
Në një konferencë të gjatë shtypi në Beograd, ai foli me tone shpesh të rrepta ndërsa u përpoq të shpjegojë paralajmërimin e bërë më 26 mars për ditë të vështira për Serbinë dhe lajme, “që kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Serbe”.
Ai të premten se Serbia dhe populli serb ndodhen nën trysni nga komuniteti perëndimorë “në radhë të parë për shkak të neutralitetit tonë ushtarak, qëndrimit tonë ndaj konfliktit në Ukrainë dhe mosbashkimit me sanksionet kundër Rusisë. Arsyeja e tretë, që lidhet me dy të mëparshmet, është se vendet perëndimore ndjejnë shumë trysni për shkak të përparimit të forcave ruse dhe pasigurisë se si do të përfundojë luftë si dhe nën trysni nga politikat e mundshme të ardhshme nga Moska që do të mbështeten në atë që shpesh quhet precedent i Kosovës”.
Perëndimorët tha ai, po nguten t’i heqin shembullin e Kosovës nga duart e presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai kritikoi vendimin e Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill dhe posaçërisht raportuesen për Kosovën, Dora Bakoyanis, e cila tha Kosova i ka përmbushur kushtet për t'u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ai theksoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pëprarësi e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, ndërsa raportuesja e hoqi si kusht nga raporti i saj për Këshillin e Evropës.
“Dora – turp të kesh”, tha ai.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës me 18 prill, dhe më pas çështja kalon ne Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.
Serbia votoi kundër, ndonëse sipas ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Presidenti serb i vlerësoi të vështira bisedimet rreth ndalimit përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Ai tha se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” ndonjë banke private bankën serbe, Kursimorja e Postës. Serbia tha ai, “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.
Ai përmendi bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë si dhe rrugën e zgjedhur nga autoritetet në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Ai e vlerësoi ndërkaq shumë të ndërlikuar situatën në Republikën Serbe në Bosnjë duke paralajmëruar se në fund të muajit prill në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara prite të vihet në rend dite rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
“Kjo ndodhë për dy arsye: një është që populli serb të dënohet për politikën e tij të pavarur e liridashëse dhe të shtohet trysnia për shkak të Kosovës”, tha ai duke shtuar se nëse një rezolutë e tillë miratohet, atëherë do të kërkojnë që Serbia të paguajë dëmet e luftës.
Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, nga forcat serbe.
Ai tha se perëndimorët po nguten për shkak të zgjedhjeve në Amerikë dhe posaçërisht për shkak të asaj çfarë po ndodhë në Ukrainë.
“Neve kjo na vë në pozitë shumë të vështirë sepse synojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe nga kjo rrugë nuk kemi hequr dorë”, tha presidenti serb.