Lidhje

Tiranë, diskutohet mbi tregun rajonal si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor


Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim

Diplomatë europianë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare diskutuan sot në Tiranë mbi krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe reformat e brendshme, të propozuara nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i hartuar nga Komisioni Europian.

Ekspertë dhe zyrtarë besojnë se ngritja e një tregu të vetëm dhe zbatimi i reformave europiane do të rritë ekonomitë e 6 vendeve të rajonit si dhe shpejtësinë e integrimit të tyre në BE.

Krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal zë vend kryesor në Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, që Komisioni Europian shpalosi nëntorin e kaluar, krahas çështjeve të tjera si bashkëpunimi rajonal, reformat dhe investimet.

Ky Plan i Rritjes synon të mbështesë reformat në 6 vendet e këtij rajoni si dhe investimet në infrastrukturën e tyre.

Diplomatë, ekspertë dhe zyrtarë shprehën sot besimin e tyre, në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim CDI, se ndërtimi dhe rritja e tregut të përbashkët rajonal do të lehtësojë përmbushjen e ambicjeve që paraqet Plani i Rritjes.

I ngarkuari me punë dhe drejtues i sektorit politik i Delegacionit Europian në Shqipëri, Andre Rizzo, tha se Plani i Rritjes, që u propozua në nëntor, tani po bëhet realitet.

“Janë gjetur 7 fusha, ku mund të hapen dyert për një treg të vetëm: prodhime dhe shërbime, rrugë e transporte, energji, elektriciteti, pajisjet digjitale dhe pagesat elektronike më të lehta. Propzohen heqje të pengesave dhe kufizimeve për qytetarët e këtij rajoni në këto fusha. Plani i Rritjes ofron anëtarësim apo afrim më të madh të këtyre vendeve me BE-në, me tregun e saj dhe me zhvillimin ekonomik, hapa për të cilat BE-ja ka gjithë besimin dhe gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e reformave dhe investimeve”, tha zoti Rizzo.

Diplomatët theksuan se përfshirja e shoqërisë civile në këtë proces me reforma themelore është shumë e rëndësishme për të sjellë dhe mbështetur mendimet e qytetarët mbi këto ndryshime, për të duhet rritur llogaridhënia dhe transparenca.

Qeveria shqiptare po harton një listë të reformave, që do t'i dorëzohet Komisionit Europian për t’u mbështetur nga Plani i Rritjes. Drejtuesi i departamentit të integrimit europian në qeveri, Adrian Kamenica, bëri të ditur se lista e reformave që do të dorëzohen në Komision është gati, tryezat e rrumbullakëta informuese me partnerët socialë pritet të nisin nga java e ardhshme dhe se qeveria synon që axhendat e reformave të miratohen zyrtarisht deri në fund të majit.

Ekspertët besojnë se përmbajtja e kësaj liste dhe zbatimi i saj kërkojnë qartësi, bashkërendim dhe mbështetje të madhe prej institucioneve të përgatitura.

Drejtuesja e Komisionit të Çështjeve Evropiane në Kuvend dhe e Këshillit Kombëtar për

Integrimin Europian, deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, tha se para të gjithash procesi ka nevojë për një komunikim të qartë mes qeverisë dhe Kuvendit, për një proces i cili nuk duhet të ndalet prej zhvillimeve të brendshme politike.

“Ne duhet të vazhdojmë me këto reforma pavarësisht se çfarë ndodh, zgjedhje ose jo, kriza politike ose jo, punon Kuvendi ose jo. Jeta e qytetarëve shqiptarë varet në ecurinë e këtyre reformave. Pjesëmarrja e hershme e Kuvendit është vendimtare për të çuar përpara diskutimet, reformat dhe axhendën legjislative”, tha zonja Tabaku.

Elementë kryesorë të Planit të rritjes janë përparimi me bashkëpunimin rajonal, krijimi Tregut të Përbashkët Rajonal dhe në miratimi i rregullave për Tregun Unik të BE-së.

Edhe Procesi i Berlinit e ka pozicionuar Tregun e Përbashkët Rajonal në qendër ecurisë sëë Zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Plani i Rritjes synon t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor, përpara se vendet e tij të anëtarësohen në BE, disa nga përfitimet që kanë shtetet anëtare. Nisma prej 6 miliardë euro pritet që të nxitë rritjen ekonomike dhe përafrimin social-ekonomike mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, duke përshpejtuar reformat dhe investimet, për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit.

XS
SM
MD
LG