Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje të hënën për rifillimin e ndihmave financiare për agjencinë për refugjatët palestinezë, UNRWA, duke theksuar rolin thelbësor të saj në Rripin e Gazës. Shumë vende ndaluan dhënien e fondeve për UNRWA-n pas akuzave se disa punonjës të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmet e Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka detyruar largimin nga shtëpitë e tyre të 80% të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se një e katërta e popullsisë po vuan nga uria pasi është kufizuar futja e ndihmave në Rripin e Gazës.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, e cila punëson rreth 13,000 njerëz në Gazë, është furnizuesja kryesore me ushqime dhe ofron strehë, por është në prag të falimentimit financiar.
“Ndjej keqardhje të thellë për vendimin që u mor për ndërprerjen e financimit të UNRWA-s. Kam shpresa të mëdha që vendimi të ndryshojë, sidomos pas publikimit të raporteve të hartuara nga organizata të pavarura lidhur me hetimin dhe shqyrtimin e agjencisë për refugjatët palestinezë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë një konference shtypi në Jordani.
Izraeli, pretendimet e të cilit janë detajuar në një dokument që i ka rënë në dorë agjencisë së lajmeve Associated Press, ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kundër agjencisë UNRWA. Izraeli e ka akuzuar atë për tolerim apo madje bashkëpunim me Hamasin dhe zgjatjen e krizës 76-vjeçare të refugjatëve palestinezë.
“Është e qartë se ka rreziqe për depërtim kur vepron në mjedise kaq të vështira si Gaza. Jemi plotësisht të përkushtuar që ta forcojmë UNRWA-n, për të garantuar që ajo reflekton vlerat e OKB-së”, tha zoti Guterres.
Qeveria izraelite e ka akuzuar Hamasin dhe grupe të tjera militante se i kanë përvetësuar ndihmat për refugjatët dhe i kanë përdorur objektet e OKB-së për qëllime ushtarake.
UNRWA i mohon këto akuza dhe thotë se ka ndërmarrë veprime të shpejta kundër punonjësve të akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e Hamasit kundër Izraelit.
Shtetet e Bashkuara dhe donatorë të tjerë të rëndësishëm, që së bashku siguruan më shumë se gjysmën e buxhetit të agjencisë për refugjatët palestinezë në vitin 2022, i ndërprenë fondet.
Disa nga 16 vendet që ndaluan përkohësisht dhënien e fondeve për UNRWA-n kanë rifilluar tashmë financimin për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë.