Lidhje

James O'Brien: Serbia e di mirë se përdorimi i forcës ndaj Kosovës është i papranueshëm


James O'Brien
James O'Brien

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, tha të premten se Serbia e ka të qartë se çdo përdorim i forcës ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe do të rrezikonte trupat e NATO-s që ndodhen në terren, për të mbrojtur të gjithë qytetarët e saj.

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë i pyetur rreth një postimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se njësi të posaçme të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën. Kryeministri Kurti tha se “jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.

Autoritetet serbe u thanë medieve në Beograd se lëvizjet e trupave janë pjesë e stërvitjeve të zakonshme në zonën tokësore të sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Në Serbi, presidenti Vuçiç e di mirë se çfarëdo përdorimi i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe do të shihej si rrezikim i trupave të NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim force. Stërvitjet jemi duke i ndjekur, por çështja thelbësore është që palët duhet t’i ulin tensionet, përfshirë edhe ato që ndërlidhen me stërvitjet e ushtrisë përreth kufirit”, tha zoti O’Brien.

Ai tha po ashtu se Serbisë i është bërë e qartë se personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar ndaj policisë së Kosovës në veri, duhet të mbahen përgjegjës.

KFOR: Situata në Kosovë e qetë por e brishtë

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë të premten se situata në Kosovë është e qetë por mbetet e brishtë, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet nxitëse dhe retorika përçarëse, dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje me shkrim dërguar Zërit të Amerikës, pas shqetësimeve të ngritura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth stërvitjeve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, KFOR-i theksoi se pas tensioneve të fundit, në terren janë vendosur rreth një mijë trupa shtesë dhe është trefishuar numri i patrullimeve, përfshirë edhe vijën kufitare.

“Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson mbikëqyrjen nga afër të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe t'u përgjigjet të gjitha situatave që mund të kenë ndikim në një mjedis të sigurt”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet se “qëllimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme që të përmbushim mandatin tonë për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”.

KFOR-i tha se përmbushja e këtij synimi përfshin ndër të tjera patrullimet, angazhimet me popullatën vendase dhe komunikimin e rregullt me një gamë të gjerë bashkëpunëtorësh, siç janë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë, misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, misionin e OKB-së, atë të OSBE-së dhe diplomatët.

“Për më tepër, KFOR-i vepron në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Duke vepruar kësisoj, KFOR-i do të vazhdojë të krijojë kuadrin e nevojshëm të sigurisë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, thuhet në deklaratë.

Zoti O’Brien tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara janë mbështetës i fuqishëm i synimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe shpresojnë që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë.

“Për mua çështje thelbësore është se asnjë qeveri nuk duhet të marrë vendime për varfërimin e qytetarëve të saj dhe ne po shohim në veri të Kosovës se është bërë e vështirë për shumë individë të blejnë gjerat e nevojshme për jetën e përditshme”, tha zoti O’Brien.

Ai tha se i dërguari amerikan Gabriel Escobar u kthye nga vizita në rajon me ndjenjën se rregullorja e Bankës Qendrore është zbatuar asisoj që e bën të vështirë jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës dhe kjo nuk flet për qeveri kompetente apo efektive. Zoti O’Brien tha se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet. Javën që vjen Kosova dhe Serbia pritet të vazhdojnë diskutimet rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Zoti O'Brien tha se Kosova ndodhet para disa hapave të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke mirëpritur vendimin e qeverisë për zbatimin e një vendimi mbi pronat e manastirit mesjetar të Deçanit, që ishte një kusht për përparimin e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai theksoi se Kosova duhet të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të votojë.

“Ne e mbështesim Kosovën në rrugën e saj përpara. Është arritur pajtimi për të ecur përpara me Asociacionin. Ky është element thelbësor për të arritur atë që ajo synon - anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, tha zoti O’Brien.

Ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin zotimet e dala nga marrëveshja e vitit të kaluar që u arrit në Bruksel dhe në Ohër, e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme, por nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.

XS
SM
MD
LG