Kryeministri hungarez Viktor Orban ka uruar Presidentin rus Vladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht së votimet u denoncuan si të pa drejta dhe jo të lira, nga shumë qeveri perëndimore.
Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Hungaria, tha se zgjedhjet që u mbajtën nga 15 deri më 17 mars u zhvilluan "në një mjedis shumë të kufizuar, të përkeqësuar edhe nga lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës". Disa ministra të BE-së e quajtën votimin një mashtrim.
Por, zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs, tha se kryeministri Orban, në një letër drejtuar Moskës, "uroi Vladimir Putinin për rizgjedhjen e tij, duke vënë në dukje se bashkëpunimi midis Hungarisë dhe Rusisë, mbështetur në respektin e ndërsjellë, mundëson diskutime të rëndësishme edhe në kontekste sfiduese gjeopolitike".
Zëdhënësi Kovacs shkroi më rrjetin X se "kryeministri Orban konfirmoi përkushtimin e Hungarisë për paqen dhe gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në sektorë që nuk janë të kufizuar nga ligji ndërkombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut në ndërtimin e marrëdhënieve paqësore”.
Hungaria kultivon lidhje më të ngushta me Rusinë sesa shtetet e tjera të BE-së. Tetorin e kaluar, kryeministri Orban tha se ishte "krenar" për kontaktet e tij me Putinin, të cilin e takoi në Kinë, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të izoluar Moskën për shkak të agresionit në Ukrainë.
Hungaria tha të enjten se nuk do t'i bashkohej një nisme të udhëhequr nga Çekia për të blerë dhe dërguar armë në Ukrainë.
Ndërsa qeveritë perëndimore u rreshtuan të hënën për të dënuar zgjedhjet ruse, Kina, India dhe Koreja e Veriut e uruan Putinin për zgjatjen e sundimit të tij edhe për gjashtë vjet të tjera.