Koreja e Veriut thotë se ka testuar me sukses një motor me lëndë djegëse në gjendje të ngurtë për raketën e saj hipersonike të tipit të ri me rreze të mesme veprimi.
Pretendimi ka të bëjë me zhvillimin e një rakete më të fuqishme të projektuar për të goditur interesat amerikane në rajon. Territori amerikan i Guam-it në Paqësor është strehë e bazave ushtarake amerikane. Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë baza ushtarake në Japoni.
Media shtetërore e Koresë së Veriut tha të mërkurën se udhëheqësi Kim Jong Un drejtoi testin tokësor të motorit me shumë faza me lëndë djegëse në gjendje të ngurtë për raketën hipersonike. Testi u zhvillua në objektin veriperëndimor të lëshimit të raketave, njoftoi Pheniani.
Një raketë hipersonike është ndër një grup sistemesh armësh të teknologjisë së lartë që udhëheqësi Kim u zotua publikisht të zhvillojë në vitin 2021 për të përballuar atë që ai e quajti thellimin e armiqësisë me Shtetet e Bashkuara.