Prokurorja e qarkut Fulton të shtetit Xhorxhia, Fani Willis duhet të tërhiqet nga çështja ndaj ish-Presidentit Donald Trump, i akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet në këtë shtet, ose të largojë nga ekipi prokurorin e posaçëm me të cilin ajo pati një lidhje romantike, përpara se të vazhdohet më tej me hetimin, sipas vendimit të shpallur sot nga gjyqtari i çështjes.
Sipas gjyqtarit të Qarkut Fulton Scott McAfee, lidhja e zonjës Willis me prokurorin Nathan Wade nuk arrinte në nivelin e konfliktit të interesit që asaj t’i hiqej çështja e ish-Presidentit Donald Trump, ndaj të cilit janë ngritur 13 akuza penale në Xhorxhia. Megjithatë gjykatësi tha se marrëdhënia e saj me prokurorin Wade, krijonte “perceptimin e një veprimi të papërshtatshëm” që ndikonte tek imazhi i ekipit të hetimit.
Ai ngriti pikëpyetje mbi vërtetësinë e dëshmive të zonjës Willis dhe zotit Wade mbi kohën se kur kishte nisur marrëdhënia mes tyre.
“Ndërsa vazhdohet me hetimin, opinion publik mund të ngrejë pikëpyetje nëse pagesat financiare kanë sjellë në një lloj mënyre përfitime për prokuroren, apo edhe nëse ata kanë vendosur të jenë sërish në lidhje”, shkroi gjyqtari.
“Thënë ndryshe, publiku mund të mendojë se prokurorja nuk po arrin të ushtrojë punën e saj profesionale plotësisht e lirë nga çdo lloj ndikimi kompromentues. Për sa kohë që zoti Wade vazhdon të jetë pjesë e hetimit, ky perceptim i panevojshëm do të vazhdojë”, thuhet në vendimin e tij.
Një zëdhënës i prokurores Willis nuk iu përgjigj një kërkese për koment të bërë të premten nga agjencia e lajmeve Associated Press.
Një avokat i zotit Trump tha se e respektonte vendimin e gjykatës, por mendon se gjykatësi “nuk i dha rëndësinë e duhur shkeljeve profesionale të zonjës Willis dhe zotit Wade”.
“Do të përdorim çdo mekanizëm ligjor për të arritur pushimin e kësaj çështjeje, e cila nuk duhet të ishte ngritur”, tha avokati Steve Sadow.
Zonja Willis punësoi zotin Wade që të drejtonte hetimet ndaj zotit Trump dhe 18 të pandehurve të tjerë nën akuzat se ishin përpjekur në mënyrë të paligjshme të përmbysnin humbjen e tij të ngushtë ndaj demokratit Joe Biden në Xhorxhia në vitin 2020.
Zoti Trump, i cili pritet të jetë i emëruari i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ka mohur çdo shkelje dhe ka deklaruar se është i pafajshëm.
Zonja Willis dhe zoti Wade gjatë një dëshmie muajin e kaluar e pranuan se kishin patur një lidhje romantike, por hodhën poshtë idenë se zonja Willis pati përfitime të papërshtatshme për shkak të marrëdhënies, ashtu si pretendonin avokatët e zotit Trump.
Ata këmbëngulën se lidhja e tyre filloi pasi ai u punësua si prokuror i posaçëm, por një ish koleg i zonjës Willis tha se i kishte parë të përqafoheshin dhe putheshin përpara se ai të punësohej.
Ata thanë së marrëdhënia e tyre mori fund në verën e vitit 2023.
Gjyqtari McAfee tha se nuk ishte “në gjendje të përcaktonte nëse lidhja e tyre filloi para apo pasi ai u punësua si prokuror i posaçëm”.
“Megjithatë, ndihet prirja për të gënjyer”, shkroi gjyqtari.
Ai tha se “pikëpyetjet e arsyeshme” nëse ata treguan të vërtetën për kohën kur nisi marrëdhënia përforcojnë “perceptimin e një veprimi të papërshtatshëm”, për të cilën duhen ndëmarrë hapat e nevojshëm.
Megjithatë, ai tha se pushimi i çështjes nuk ishte zgjidhja e duhur për të shuar dyshimet e ngritura për shkelje dhe mashtrim.