Kremlini tha sot se komentet që bëri Presidenti Vladimir Putin për armët bërthamore gjatë një interviste për median shtetërore nuk ishin kërcënim për përdorim të tyre dhe akuzoi Shtetetet e Bashkuara se i nxorri qëllimisht komentet jashtë kontekstit.
Presidenti Putin tha në një intervistë të publikuar të mërkurën se Rusia ishte teknikisht gati për luftë bërthamore dhe se nëse Shtetet e Bashkuara do të dërgonin forca në Ukrainë, veprimi do të konsiderohej një përshkallëzim i konsiderueshëm i konfliktit.
Duke komentuar deklaratat e zotit Putin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve se për Uashingtonin udhëheqësi rus po rikthen doktrinën e Moskës për armët bërthamore dhe akuzoi Rusinë se po përdor retorikë të papërgjegjshme bërthamore ndërsa ndodh konflikti në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të enjten se zoti Putin thjesht po i përgjigjej pyetjeve të gazetarit, duke theksuar rrethanat që tashmë dihen, në të cilat teorikisht Rusia do të detyrohej të përdorte armët bërthamore.
Zoti Peskov vuri në dukje faktin se zoti Putin, tha gjatë së njëjtës intervistë se nuk i ka shkuar në mend ideja e përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë.
I pyetur mbi deklaratat e Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësi Peskov tha se “komentet ishin nxjerrë qëllimisht nga konteksti. Zoti Putin nuk bëri kërcënime për përdorim të armëve bërthamore në Ukrainë”, tha ai.
Deklaratat e zotit Putin në intervistën e publikuar dje, vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi që mbahen nga 15 deri më 17 mars, në të cilat ai pritet të fitojë.