Lidhje

Pavarësisht sanksioneve, ekonomia e Rusisë vazhdon të rritet


Banka Qendrore e Rusisë
Banka Qendrore e Rusisë

Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i vendosën Rusisë sanksione të shumta ekonomike. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Liliya Anisimova, ekonomia e Rusisë nuk ka pësuar dëmin e parashikuar edhe pasi janë mbushur dy vite luftë.

Pavarësisht sanksioneve, ekonomia e Rusisë vazhdon të rritet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Gati 15 mijë sanksione të ndryshme iu vendosën qeverisë ruse, individëve dhe kompanive, vitin e parë të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

E megjithatë, ekonomia e Rusisë vazhdoi të rritet. Ndihmat ushtarake nga Koreja e Veriut dhe Irani kontribuan në këtë drejtim dhe po kështu edhe imagjinata e inxhinierëve rusë.

“Rusia ka treguar imagjinatë për të përdorur gjysmëpërçuesit që gjenden në pajisjet si frigoriferët, apo pajisje të tjera. I kanë hequr gjysmëpërçuesit dhe qarqet e këtyre pajisjeve dhe i kanë përdorur për pajisjet ushtarake”, thotë Klaus Larres, nga Qendra Wilson.

Shumë biznese e kanë bojkotuar tashmë Rusinë. Firma si Prada, IKEA apo LG, së bashku me mijëra të tjera kanë kufizuar aktivitetin e tyre në Rusi, ose janë larguar nga vendi.

Rusia e ka përballuar të gjithë këtë, pjesërisht duke forcuar marrëdhëniet me Kinën. Eksportet kineze drejt Rusisë janë rritur me 120%, që nga viti 2021. Në këmbim, nafta ruse po furnizon Kinën.

“Nga këndvështrimi kinez, është pjesa e eksporteve dhe ajo e importeve. Për sa i përket importeve, ata janë bërë klienti më i madh në botë për naftën ruse dhe qymyrgurin”, thotë Kenneth Pomeranz, nga Universiteti i Çikagos.

Sanksionet perëndimore kanë ngrirë llogaritë e Bankës Qendrore të Rusisë, kanë vendosur një çmim tavan për naftën ruse, si dhe kanë mbyllur hapësirën ajrore evropiane për avionët rusë. E megjithatë, ekonomia ruse vazhdon të rritet.

“Duhet vlerësuar puna e Bankës Qendrore të Rusisë, që megjithëse iu ngrinë rezervat jashtë vendit, u përball me zhvillimet e reja dhe filloi të ndërmarrë një seri hapash për ta ndrequr situatën”, thotë Vladimir Dashkeev, nga Universiteti i Siatëllit.

Rusia i ka shmangur sanksionet edhe duke marrë mallra perëndimore nëpërmjet vendeve të treta, si Gjeorgjia, Bjellorusia dhe Kazakistani.

Megjithë sanksionet, Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti parashikimin për rritjen ekonomike të Rusisë për këtë vit, nga 1.1% në 2.6%.

XS
SM
MD
LG