Lidhje

Escobar pritet të vizitojë Kosovën për të diskutuar çështjen e dinarit serb dhe dialogun


I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të qëndrojë gjatë kësaj jave në Prishtinë për të biseduar me udhëheqësit e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe çështjen e dinarit serb.

Escobar pritet të vizitojë Kosovën për të diskutuar çështjen e dinarit serb dhe dialogun
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Përmes një komunikate, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se përveç Kosovës, zoti Escobar do të vizitojë edhe Malin e Zi, Brukselin dhe Austrinë në kuadër të siç u tha rikonfirmimit të “angazhimit të Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zoti Escobar në Bruksel do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të NATO-s.

“Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb, për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim, në të cilin nënvizohet se në kuadër të kësaj vizitë do të diskutohet edhe për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“I dërguari i posaçëm do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, thuhet në njoftim.

Vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar në Kosovë po ndodh në një kohë mospajtimesh mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë njoftoi të hënën se ka vendosur katër kontenjerë të Bankës së Postës së Serbisë në afërsi të vendkalimeve kufitare me Kosovën, për të mundësuar qytetarëve serbë të Kosovës të tërheqin dinarë serb.

Sipas kësaj zyreje, kjo zgjidhje teknike do të jetë e përkohshme derisa të vendoset funksionimi normal i transaksionit të pagesave për serbët në Kosovë ndërsa theksoi se Beogradi zyrtarë këmbëngul për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën.

Kjo çështje pritet të jetë pjesë e diskutimeve më vonë gjatë kësaj jave ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, i cili pritet të qëndrojë në Beograd.

Zoti Lajçak, i cili qëndroi javën e kaluar në Prishtinë paralajmëroi një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe të përdorimit të dinarit serb.

Qeveria e Kosovës deri më tash ka refuzuar të marr pjesë në takime pasi sipas zyrtarëve të saj, "çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut".

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

XS
SM
MD
LG