Në Shqipëri, roli i grave në blegtori është i lartë, edhe pse ato ndeshen në këtë sektor me vështirësi të shumta. Blerina Çela një fermere në fshatin Samaticë të Beratit, në krah të bashkëshortit, i ka sfiduar këto vështirësi duke mbajtur në këmbë një fermë me 40 krerë lopë në një kohë kur në 5 vitet e fundit numri i tyre në vend ka rënë me 36%. Ajo ja dedikon këtë përparim punës dhe pasionit të saj të pandërprerë.
Në një kohë të vështirë për blegtorinë në vend, kur numri i bagëtive ka ardhur duke u reduktuar në 5 vitet e fundit, Blerina Cela në fshatin Samaticë, 25 km larg qytetit të Beratit, prej 14 vitesh ka ardhur duke e zgjeruar fermën e lopëve, pronë e familjes së saj. Pas kthimit nga emigracioni bashkë me bashkëshortin vendosën të mbarështojnë lopë, duke i dhënë kuptim jetës së tyre në fshatin e vogël prej 1500 banorësh. Ka qenë dhe është një rrugë e vështirë, por Blerinën e shtyn para pasioni dhe forca për të mos u ndalur. Mes vështirësive të shumta, ka arritur të rrisë numrin e krerëve të lopëve nga 3 në 40 dhe sot prodhon mbi 500 litra qumësht në ditë, 10 herë më shumë se kur nisi punën.
“Në fillim ishte e vështirë, me shumë sakrificia. Në fakt nuk ja vlente, por vetëm kërkesa jonë. Kemi qenë shumë kërkues që të ecnim para. Kur dilnim që shisnim qumështin me kova për një fabrikë këtu pranë po të çonte njeri tjetër 3 litra më shumë se unë e kisha problem. Do marrim dhe një lopë, edhe një tjetër, që kemi arritur deri këtu”- u shpreh për Zërin e Amerikës Blerina Çela, fermere.
Në krah të bashkëshortit të saj Dashamirit, Blerina e rrit nga pak çdo ditë fermën. Ka patur dhe momente kur duhej thirrur në ndihmë durimi dhe besimi. Kur gjithçka dukej se ndalonte së funksionuari. Kur
bashkëshortit i është dashur të bëjë një punë tjetër për të mbajtur stallën në këmbë.
“Ka patur momente që Dashamiri të ardhurat që ka punuar me sakrificë në emigracion, i kemi shpenzuar vetëm për të mbajtur stallën në këmbë. Kjo punë është thjesht pasion im dhe i bashkëshortit, sepse është punë e vështirë. Të do gjithë vitin pa pushim nga mëngjesi në darkë. Mund të të kërkojë dhe në mesnatë. Duhet ta kesh pasion”-vijoi Blerina Çela, fermere.
Ka patur gjithnjë supin e bashkëshortit për t’u mbështëtur, por dhe është një sup mbështetës i fortë për të.
“ Gruaja duhet të sakrifikojë. Se kur shkon gruaja bën celebrimin në ditën që shpall martesën thotë që janë të drejtat të barabarta. Ndërsa sot unë shoh shumë gra të përkëdhelura që thonë - përse duhet ta bëj unë punën e burrit. Po nëse mundesh përse të mos e bësh”- vijoi Blerina Çela, fermere.
E gjithë dita e saj në shërbim të lopëve, e ka bërë Blerinën që të kuptojë dhe ndjejë kur diçka me to nuk shkon mirë. Thotë se u jep shumë dashuri dhe arrin t’i lexojë në çdo kohë se çfarë duan.
“Po të hyj në stallë në mëngjes do ta kuptoj se cila lopë nuk është mirë. E kuptoj direkt, dhe e di që e ka një problem. Si çdo njeri që ja lexon në fytyrë kur ka një mërzitje apo një stres apo dhe kur është i buzëqeshur. Kështu janë dhe lopët. Në momentin që janë të stresuara kuptohen”- thotë Blerina Çela, fermere.
Në të gjithë zonën përqark fshatit Samaticë në Berat, fuqia e grave i ka dhënë jetë bujqësisë dhe blegtorisë thotë Blerina për Zërin e Amerikës.
Janë të gjitha gratë në punë. Unë kam 40 krerë, njëra ka 10, tjetra ka 9. Të gjitha punojnë. Zona këtu ka dhe sera ku punësohen gratë. Besoj se gratë janë më të forta se burrat, ja dalin. Se gruaja është ajo që duhet dhe në shtëpi dhe në kontrollin e familjes, por dhe në punën e burrit”- thotë Blerina Çela, fermere.
Në vitin e 15-të të punës në fermën e lopëve Blerina Çela hedh e sigurt nga një hap cdo ditë. Aktualisht po punon për të rritur standardet e mjeljes së qumështit, dhe për të shtuar numrin e krerëve, në një kohë kur sektori i blegtorisë në vend nuk është në ditët e veta më të mira. Në 5 vitet e fundit numri i krerëve të lopëve ka rënë me 36% dhe ka mbërritur në 298 mijë krerë, dhe për pasojë ka sjellë dhe rënien e prodhimit të qumështit. Ministria e Bujqësisë po përmirëson disa skema subvencionimi për blegtorinë, me qëllim për të frenuar këtë rënie.
“Shpresoj të jenë vendime të mira, që dhe ne të na japë kurajo të punojmë akoma më shumë. Ne jemi të rinj, mund të ecim më tej me zgjerimin e fermës. Përse të marrim qumësht nga jashtë, kur ne kemi prodhimin vendas”- thotë Blerina Çela, fermere.
Blerina është nënë e tre fëmijëve, më e madhja vajza 17 vjeç dhe më i vogli 3. Nuk ka një kufi të qartë midis dy dashurive, fermës së lopëve dhe familjes së saj. Por një gjë e di shumë mirë, që këto dashuri e kanë mbajtur të fortë në këmbë.
“Nuk dorëzohesh në momentin që sheh fëmijët që i plotësohen dëshirat. Të vjen keq. Unë nuk e imagjinoj dot që të shitet ferma dhe ta shoh stallën bosh. Nuk e imagjinoj dot”- vijoi Blerina Çela, fermere.
Nuk dorëzohet Blerina, sepse suksesi i ka dhënë fuqi për të ecur para. E gjithë biseda me të, kishte tone optimizmi. Nuk është në gjuhën e saj ankesa, për gjërat që nuk kanë shkuar mirë. Së shpejti pritet që ferma e familjes të shtohet edhe me 15 krerë lopë. Po i pret si bekim dhe si shprehje e asaj që mundi shpërblehet herët a vonë.