Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten se i ka kërkuar ushtrisë amerikane të ndërtojë një port të përkohshëm në brigjet e Rripit të Gazës. Kjo është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për krijimin e një rrugë detare të dërgimit të ushqimit dhe ndihmave të tjera, ndërsa zyrtarë të OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara paralajmërojnë se civilët palestinezë, të bllokuar nga lufta Izrael-Hamas, së shpejti mund të vuajnë nga uria.
"Kam udhëzuar ushtrinë amerikane të udhëheqë një mision emergjent për të ndërtuar një port të përkohshëm në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë dhe ilaçe. Asnjë çizme (ushtarë) amerikane nuk do të jetë në terren. Një port i përkohshëm do të mundësonte një rritje masive të sasisë së ndihmës humanitare që hyn në Gaza çdo ditë”, tha Presidenti Biden në fjalimin e tij për gjendjen e vendit.
Njoftimi sinjalizon thellimin e mëtejshëm të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konflikt dhe përshkallëzimin e tensioneve dhe luftimeve në rajon. Kjo gjithashtu është një shenjë se administrata e Presidentit Biden po përdor një zgjidhje të pazakontë për të dërguar ndihma për 2.3 milionë banorët e Gazës, ndërsa merret me kufizimet që aleati i Shteteve të Bashkuara, Izraeli ka vendosur mbi dërgesat e ndihmave tokësore, dhe me kritikat në rritje ndaj vetë Uashingtonit për mënyrën se si po trajtohet ky konflikt.
Ndërkohë, shpresat për arritjen e një armëpushimi përpara muajit të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars, duket se janë venitur. Hamasi tha të enjten se delegacioni i tij ishte larguar nga Kajro, ku po zhvilloheshin bisedimet. Korniza e armëpushimin parashikonte një plan për dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës.
Një krizë humanitare e zgjeruar në të gjithë Gazën gjatë pesë muajve të luftës dhe kontrolli i rreptë nga Izraeli i kamionëve me ndihma ka lënë pothuajse të gjithë popullsinë me mungesa të mëdha ushqimore, thonë zyrtarët e OKB-së. Punonjësit shëndetësorë në Gazën veriore javën e kaluar raportuan 15 fëmijë të vdekur nga uria atje dhe gjashtë fëmijë të tjerë në prag të vdekjes.
Në një takim me ambasadorin izraelit në Uashington, drejtorja e Agjencisë Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar, Samantha Power, paralajmëroi se Gaza e bllokuar "përballej me një rrezik të vërtetë nga uria", tha zyra e saj të enjten.
Izraeli akuzon Hamasin për kontrollimin një pjese të ndihmave humanitare.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se operacioni i planifikuar për ndërtimin e portit të përkohshëm nuk parashikon dërgimin e trupat amerikane në terren për ta bërë këtë. Ndërtimi i portit të përkohshëm ka për qëlllim të lehtësojë transferimin e më shumë ndihmave ushqimore, ilaçeve dhe gjërave të tjera thelbësore nga një port i Qipros në Mesdhe.
Zyrtarët amerikanë thanë se mund të duhen disa javë përpara se porti i përkohshëm të funksionojë.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është dërgimi nga ushtria i një skele lundruese, të quajtur “JLOTS”, tha një zyrtar tjetër amerikan në kushte anonimiteti. Një port i madh lundrues eliminon nevojën e dislokimit të trupave në bregdet. Anijet mund të lundrojnë në skelë, e cila mund sigurohet nga spirancat, dhe të ankorohen atje.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Gjeneral Majori Pat Ryder tha në një deklaratë të enjten se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë po shqyrtonin një numër alternativash, duke përfshirë përdorimin e kompanive tregtare dhe kontraktorëve për të ndihmuar në dërgimin e portit të përkoshëm.
Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Izraeli dhe Lindja e Mesme janë tashmë të përfshirë në diskutime dhe përgatitje për mundësinë e hapjes së një rruge detare për dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.