Lidhje

Mali i Zi, protestë kundër kryetarit të parlamentit Andrija Mandiç


Pamje nga protesta në Cetinë kundër Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç
Pamje nga protesta në Cetinë kundër Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç

Në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, të enjten, një grup qytetarësh protestuan para selisë së parlamentit, kundër ardhjes së kryeparlamentarit Adrija Mandiç për të marrë pjesë në hapjen e seancës pranverore, e cila tradicionalisht mbahet në këtë qytet.

"Ne u mblodhëm këtu në Cetinën liridashëse për të protestuar kundër Andrija Mandiçit. Ne e dimë se me kë është dhe kë mbështet, ky popull nuk e meriton këtë,", tha Radovan Peroviç, njëri nga organizatorët e protestës.

Zoti Peroviç tha se kryetari i parlamentit Mandiç mohon komunitetet tjera që jetojnë në Malin e Zi.

"Ata prishën të gjithë historinë. Mandiç është kundër Malit të Zi të pavarur. Ai mohon malazezët, kroatët, shqiptarët, myslimanët. Idhujt e tij janë Karaxhiç dhe Mladiç, kriminelë lufte, me në krye Sheshelin", tha ai.

Protestuesit iu bënë thirrje "partive qytetare të tregojnë se janë antifashistë dhe të votojnë për shkarkimin e Mandiçit".

Atambanin pankarta me mbishkrimet kundër kryeparlamentarit dhe politikës pro-serbe dhe pro-ruse që ai dhe ithtarët e tij po e ndjekin në Malin e Zi.

Në Cetinë është shtuar prania e policisë dhe pjesë e qytetit u bllokua.

Për shkak të pranisë së madhe të forcave policore ka reaguar edhe kryetari i komunës së Cetinës, Nikolla Gjurashkoviq, i cili rrethimin policor e cilësoi si skandaloze ndaj një proteste paqësore të qytetarëve.

Sipas ligjit dhe traditës, çdo mbledhje e parë e seancës pranverore nis në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, për të vazhduar seanca në Podgoricë.

Kryetari i parlamentit, Andrija Mandiç ditë më parë priti përfaqësuesin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik në Podgoricë duke shkaktuar reagime të shumta në Malin e Zi.

Kjo ishte një nga arsyet që nxiti partitë opozitare të ndërmerrnin nismën për shkarkimin e Mandiçit nga kreu i parlamentit, duke gjykuar se ai "abuzoi rëndë për interesa partiake, nacionaliste dhe antievropiane".

Mbledhja e parë e rregullt e seancës pranverore të parlamentit në Cetinë u ndërprerë për disa minuta, pas një konflikti verbal dhe gati fizik mes përfaqësuesit të “Partisë Demokratike të Socialistëve” në opozitë, Oskar Huter dhe koalicionit pro-serb dhe pro-rus “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” të Andrija Mandiç.

Megjithatë, parlamenti i Malit të Zi në seancën e sotme miratoi marrëveshjen ndërmjet qeverisë malazeze dhe qeverisë së Shqipërisë për ndërtimin e një ure ndërshtetërore mbi lumin Buna në Shën Kollë, e cila do të lidh bregdetin e Ulqinit me atë të Velipojës në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua në shkurt të vitit 2023 nga kryeministrat e Malit të Zi dhe atij shqiptar, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama.

Po ashtu u miratua edhe marrëveshja ndërkombëtare për ndërtimin e urës ndërshtetërore mbi lumin Tara , e cila do të ndërtohet në kufirin verior të Malit të Zi me Bosnjën dhe Hercegovinën.

XS
SM
MD
LG