Lidhje

Ukraina thotë se ka fundosur një luftanije ruse në Detin e Zi


Ukrainian Defence Ministry footage shows what Ukrainian military intelligence said is Russian ship that was damaged by sea drones off Crimea
Ukrainian Defence Ministry footage shows what Ukrainian military intelligence said is Russian ship that was damaged by sea drones off Crimea

Ukraina pretendoi të martën se ka fundosur një tjetër luftanije ruse në Detin e Zi, duke përdorur dronë detarë të teknologjisë së lartë, ndërsa forcat e Kievit vazhdojnë të godasin objektivat thellë prapa vijës së frontit të luftës. Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar fundosjen e luftanijes.

Agjencia e inteligjencës ushtarake ukrainase tha se një njësi e operacioneve speciale shkatërroi luftanijen e madhe të patrullimit “Sergey Kotov” gjatë natës. Luftanija, për të cilën Ukraina tha se ishte aktivizuar në vitin 2021 dhe u godit pranë ngushticës së Kerçit, thuhet se ishte e pajisur me raketa me vetëdrejtim dhe kishte rreth 60 anëtarë të ekuipazhit.

Fundosja e një anijeje kaq moderne do të ishte një humbje e konsiderueshme dhe një goditje e rëndë për Moskën, ndonëse ajo ka dhjetëra anije të tjera në flotën e saj të Detit të Zi.

Anijet patrulluese si “Sergey Kotov” janë pjesë e operacioneve të Rusisë kundër sulmeve me dronë, sipas një artikulli të botuar muajin e kaluar nga Institutit amerikan të Studimit të Politikës së Jashtme. Anijet përdorin radar dhe një helikopter për të zbuluar dhe shkatërruar dronët duke përdorur granatahedhës dhe mitralozë të rëndë, tha Instituti amerikan i Studimit të Politikës së Jashtme.

Forcat e Kievit po përpiqen të mbajnë larg ushtrinë ruse të pajisur më mirë në disa pika përgjatë vijës së frontit kryesisht të pandryshuar prej 1,500 kilometrash, por gjithashtu po godet objektiva në distanca të largëta nga fusha e betejës.

Në Detin e Zi, sukseset e Ukrainës kundër luftanijeve ruse kanë mundësuar krijimin e një korridori për eksportin e grurit ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës postoi në X një video, që thoshte se ishte nga sulmi ndaj luftanijes “Sergey Kotov” me një anije pa ekuipazh “Magura V5” të mbushur me ekzploziv, të prodhuar nga Ukraina. Shtatë anëtarë të ekuipazhit rusë u vranë dhe gjashtë u plagosën në sulm, ndërsa 52 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, tha agjencia e inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

Pretendimet e Ukrainës nuk mund të verifikoheshin menjëherë në mënyrë të pavarur dhe dezinformimi ka qenë pjesë e luftës, që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë të Rusisë më 22 shkurt 2022 ndaj Ukrainës.

Firma private e sigurisë “Ambrey” tha se sulmi ndodhi në portin e Feodosias, në Krime, që Rusia e aneksoi në 2014. Zyrtarë të firmës “Ambrey” thanë se kishin parë pamjet e marra nga një anëtar i ekuipazhit në një anije tregtare në port, që tregonin luftanijen “Sergej Kotovin” duke qëlluar në drejtim të dronëve.

Anija u godit të paktën dy herë, me goditjen e dytë që rezultoi në një shpërthim të madh, tha firma “Ambrey”.

Muajin e kaluar, Ukraina pretendoi se kishte fundosur dy luftanije ruse, duke përdorur dronë. Më 1 shkurt, ajo pretendoi se kishte fundosur luftanijen ruse “Ivanovets” dhe më 14 shkurt ajo tha se shkatërroi anijen “ Caesar Kunikov”. Zyrtarët rusë nuk i kanë konfirmuar këto pretendime.

Zyrtarët e Kievit thonë se rreth 20% e sulmeve me raketa ruse në Ukrainë janë kryer nga Deti i Zi dhe goditja e anijeve ruse atje është e turpshme për Moskën.

Pothuajse dy vjet më parë, anija kryesore e flotës ruse të Detit të Zi, “Moskva”, e cila ishte e pajisur me raketa me vetëdrejtim, u fundos pasi u dëmtua rëndë në një sulm me raketa.

XS
SM
MD
LG