Lidhje

E dërguara e OKB-së: Ka “bazë për të besuar” se Hamasi kreu dhunë seksuale gjatë sulmit të 7 tetorit


E dërguara e OKB-së për dhunën seksuale në konflikt, Pramilla Patten gjatë konferencës për shtyp
E dërguara e OKB-së për dhunën seksuale në konflikt, Pramilla Patten gjatë konferencës për shtyp

KOMBET E BASHKUARA – E dërguara e Kombeve të Bashkuara për dhunë seksuale në konflikt në një raport të publikuar të hënën tha se ka “bazë për të besuar” se Hamasi ka kryer dhunime, “torturë me bazë seksuale” dhe trajtim mizor e çnjerëzor të grave gjatë sulmit të grupit militant në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor.

Ka gjithashtu “bazë të arsyeshme për të besuar se një dhunë e tillë ndoshta po vazhdon ende,” deklaroi e dërguara e OKB-së Pramilla Patten, e cila vizitoi Izraelin dhe Bregun Perëndimor nga 29 janari deri më 14 shkurt bashkë me një ekip teknik të përbërë nga nëntë anëtarë.

Bazuar në dëshmitë e drejtpërdrejta të pengjeve të liruara, ajo tha se ekipi “gjeti prova të qarta dhe informacion bindës” se disa nga gratë dhe fëmijët gjatë kohës që janë mbajtur nga Hamasi u janë nënshtruar po ashtu dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, përfshirë dhunim dhe “torturë me bazë seksuale.”

Raporti u publikua gati pesë muaj pas sulmit të 7 tetorit, gjatë të cilit u vranë 1,200 persona dhe 250 të tjerë u rrëmbyen. Lufta e Izraelit kundër Hamasit që atëherë ka shkatërruar Rripin e Gazës, duke vrarë mbi 30,000 vetë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Sipas OKB-së, një e katërta e popullatës 2.3 milionëshe të Gazës po përballet me uri.

Hamasi i ka hedhur poshtë akuzat për dhunë seksuale.

Në një konferencë shtypi ku bëri publike përfundimet e raportit, e dërguara Patten theksoi se vizita e ekipit nuk ishte bërë më qëllim që të hetojë akuzat për dhunë seksuale, por për të mbledhur, analizuar dhe vërtetuar informacionin për raportin vjetor mbi dhunën seksuale në konflikt të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe për Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Rekomandimi i saj kryesor është të nxitë Izraelin t’i japë qasje shefit për të drejtat e njeriut të OKB-së dhe Komisionit hetimor të pavarur ndërkombëtar për territoret palestineze dhe Izraelin “për të kryer hetime të plota rreth shkeljeve të pretenduara” – dhe ajo tha se shpreson qe Këshilli i Sigurimit do ta bëjë këtë.

Zonja Patten tha se ekipi i saj nuk arriti të takojë viktimat e dhunës seksuale “megjithë përpjekjet e përbashkëta për t’i nxitur ato të paraqiten.” Megjithëse numri i viktimave mbetet i panjohur, ajo tha se “një numër i vogël i tyre që po kurohen thuhet se po përjetojnë shqetësim të rëndë mendor dhe traumë.”

Megjithatë, anëtarët e ekipit mbajtën 33 takime me institucionet izraelite dhe intervistuan 34 persona, përfshirë edhe të mbijetuar dhe dëshmitarë të sulmit të 7 tetorit, pengjet e liruara, punonjësit shëndetësorë dhe të tjerë.

Bazuar në informacionin e grumbulluar, zonja Patten tha se “ka bazë të arsyeshme për të besuar se dhuna seksuale në konflikt ka ndodhur gjatë sulmeve të 7 tetorit në disa vendndodhje pranë periferisë së Gazës, përfshirë dhunime dhe dhunime në grup, në të paktën tri vende.”

Nëpër vende të ndryshme, tha ajo, ekipi arriti në përfundimin se “se disa trupa plotësisht apo pjesërisht të zhveshur në pjesën e poshtme të trupit – shumica prej tyre gra – janë zbuluar me duar të lidhura dhe të qëlluara me armë zjarri disa herë, shpesh në kokë.”

Ndonëse kjo mbetet për t’u sqaruar, ajo tha se kjo mënyrë e zhveshjes dhe lidhjes së viktimave “mund të jetë shenjë e dhunës seksuale.”

Në festivalin e muzikës Nova dhe në hapësirën përreth, sipas zonjës Patten, “ka bazë të arsyeshme për të besuar se kanë ndodhur incidente të dhunës seksuale, ku viktimat i janë nënshtruar dhunimit dhe/ose dhunimit nga grupi dhe pastaj janë vrarë ose jane vrarë ndërkohë që dhunoheshin.”

“Ekzistojnë dëshmi të individëve që ishin dëshmitarë të të paktën dy rasteve të dhunimeve të kufomave të grave,” tha zonja Patten. “Burime tjera të besueshme nga vendi i ngjarjes në festivalin Nova përshkruan se kishin parë një numër personash të vrarë, shumica e të cilëve gra, trupat e të cilëve ishin gjetur të zhveshur në pjesët e poshtme të trupit, disa plotësisht të zhveshura,” disa me plagë në kokë, disa të lidhur për drunj apo shtylla me duar të lidhura.

Në Rrugën 232 – rruga për të dalë nga festivali – “informacion I besueshëm i bazuar në dëshminë e një dëshmitari përshkruan një shembull të dhunimit të dy grave me armë,” tha Patten. Dhunime e tjera të raportuara nuk mund të vërtetoheshin dhe duhen hetuar.

“Përgjatë kësaj rruge, janë gjetur disa trupa me lëndime në organet gjenitale, krahas lëndimeve në pjesë tjera të trupit,” tha ajo. “Shenjat e dëmtimit metodik të organeve gjenitale nuk kanë mundur të vërtetohen deri më tani por kërkojnë një hetim në të ardhmen.”

Ajo tha se “ekipi i këtij misioni po ashtu vuri re se shumë nga trupat ishin të zhveshur apo të zhveshur pjesërisht në pjesën e poshtme, në disa raste të lidhura në trungjet e pemëve dhe shtylla, përgjatë Rrugës 232”.

Njerëzit që po largoheshin nga festivali Nova po ashtu u munduan të iknin në drejtim të jugut dhe kërkuan strehim në dhe përreth vendbanimit Reim ku sipas zonjës Patten ka “bazë të arsyeshme” për të besuar se ka patur dhunë seksuale.

Ekipi vërtetoi dhunimin e një gruaje në afërsi të një strehimoreje dhe dëgjoi akuza të tjera për dhunim të cilat nuk ka mundur t’i vërtetojë.

Në vendbanimin Be’eri, sipas zonjës Patten, ekipi i saj “arriti të përcaktojë se të paktën dy pretendime për dhunë seksuale, që ishin përsëritur gjerësisht në media, ishin të pabazuara për shkak të qoftë informative të reja ose për mospërputhjen e fakteve të mbledhura.”

Këto përfshjinë pretendimin e shumëpërfolur se mitra e një gruaje shtatzënë ishte shqyer para se të vritej me fetusin e saj të goditur me thikë brenda saj, deklaroi zonja Patten.

Një tjetër ishte “interpretimi i bërë fillimisht për trupin e një vajze që ishte gjetur e ndarë nga familja e saj, e zhveshur në pjesën e poshtme,” tha ajo. “Ekipi ka ardhur në përfundim se vendi i krimit është ndryshuar nga një ekip i çminimit dhe trupa e tyre janë lëvizur, gjë që shpjegon ndarjen e vajzës nga pjesa tjetër e famijes së saj.”

E dërguara Patten tha se duhen hetime shtesë për pretendimet, përfshirë për trupa e zhveshur të gjetur dhe në një rast me gojë të mbyllur, në vendbanimin Be’eri për të përcaktuar nëse ka pasur dhunë seksuale.

Në vendbanimin Kfar Azza, sipas zonjës Patten, vërtetimi i dhunës seksuale nuk ishte i mundur. Por ajo tha se “informatat në dispozicion – me theks të veçantë tek rastet e shumta të grave të gjetura të zhveshura, të lidhura dhe të qëlluara me armë zjarri – tregojnë se sulmi seksual, përfshirë torturën me bazë seksuale, apo trajtimin mizor, çnjerëzor dhe denigrues, mund të ketë ngjarë.”

Zonja Patten theksoi se “do të duhen muaj e vite për të kuptuar përmasat e vërtëta të dhunës seksuale gjatë sulmeve të 7 tetorit dhe pas tyre dhe ndoshta ato nuk do të bëhen të njohura plotësisht kurrë.”

Ajo tha se ekipi i saj, që po ashtu vizitoi Bregun Perëndimor, mori informata nga burimet institucionale dhe të shoqërisë civile dhe përmes intervistave “për disa forma të dhunës seksuale ndaj burrave dhe grave palestineze nëpër burgje, gjatë bastisjes së shtëpive dhe në postblloqe.”

Shefi i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë deklaroi të hënën se qindra palestinezë të arrestuar nga Izraeli pas sulmeve të 7 tetorit kanë raportuar për një një mori keqtrajtimesh duke filluar nga fotografimi i tyre të zhveshur e deri te kërcënimi i torturës me shok elektrik.

Sipas zyrtarit të UNRWA, Phillipe Lazzarini agjencia ka hartuar një raport të brendshëm që nuk është publikuar, që bazohet në informatat e mbledhura nga të burgosurit që u kthyen në Gazë “plotësisht të traumatizuar nga përvoja”.

Ai tha disa janë mbajtur nën arrest për disa javë, disa të tjerë për disa muaj.

“Dëgjuam rrfëime të njerëzve që janë poshtëruar sistematikisht,” tha zoti Lazzarini. “Njerëzit janë detyruar të fotografohen lakuriq.”

XS
SM
MD
LG