Lidhje

McKee: Pavarësisht fërkimeve me qeveri të caktuara, përkushtimi i USAID-it ndaj Kosovës mbetet i palëkundur


Ndihmës Administratorja e Agjencisë amerikanë për Zhvillim Ndërkombëtar, Erin McKee, tha të martën në Prishtinë se partneriteti i kësaj agjencie me popullin e Kosovës mbetet i palëkundur, ndërsa theksoi se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian.

Ndonëse mund të përballemi me fërkime dhe sfida me qeveri të caktuara, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur”, tha zonja McKee, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke iu referuar mospajtimeve të fundit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë amerikane lidhur me përdorimin e dinarit, në zonat e banuara me shumicë serbe.

Zonja McKee, tha se e ardhmja e Kosovës është brenda Evropës, ndërsa citoi sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, sipas të cilit, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është rruga e vetme për përparimin e Kosovës drejt integrimit të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ajo u zotua se “USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritetin me Kosovën për të siguruar që ecja drejt kësaj të ardhmeje të mos lëkundet, por të përshpejtohet”.

Zonja McKee tha se USAID-i është i përkushtuar për të mbështetur reformat e domosdoshme për të penguar korrupsionin, për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës, për të investuar në shkathtësimin e të rinjve dhe për të siguruar që vendi do të ketë një ardhmëri të sigurt dhe të qëndrueshme energjetike.

Presidentja Osmani, tha se ndikimi transformues i punës së USAID-it në Kosovë ndjehet në çdo aspekt të jetës dhe pasqyron angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën.

Që nga viti 1999, USAID-i ka investuar, në emër të popullit amerikan, mbi një miliardë dollarë në rrugëtimin e Kosovës drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG