Franca e bëri abortin të drejtë kushtetuese të hënën, vendimi i parë i këtij lloji në botë. Grupet e mbrojtjes së të drejtave të grave e quajtën historik vendimin ndërsa grupet kundër abortit e kritikuan ashpër atë.
Anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit dhe senatorët e miratuan masën me 780 vota pro dhe 72 kundër gjatë një seance të përbashkët, të mbajtur në Pallatin e Versajës, në periferi të Parisit.
Aktivistët e të drejtës për abort u mblodhën në qendër të Parisit për të përshëndetur vendimin, ndërsa në Kullën Eifel u vendos slogani “Trupi im, zgjedhja ime” dhe rezultati i votimit u shfaq në një ekran të madh.
Të drejtat e abortit kanë një mbështetje më të gjerë në Francë sesa në Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera. Sipas anketimeve, 80 për qind e njerëzve në Francë mbështesin legalizimin e abortit.
“Ne po dërgojmë një mesazh tek të gjitha gratë se askush nuk mund të vendosë për ju, për trupin tuaj”, tha para ligjvënësve Kryeministri francez Gabriel Attal para votimit.
Gratë në Francë kanë gëzuar të drejtën për abort që nga viti 1974, kur miratimi i ligjit të abortit u kritikua nga shumë njerëz.
Por vendimi i Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara në 2022 për të përmbysur rastin Roe kundër Wade, që e kishte bërë të ligjshëm abortin në Amerikë, nxiti aktivistët të fillonin përpjekjet për ta bërë Francën vendin e parë në botë që e përfshinë në kushtetutë këtë të drejtë.
“E drejta për abort në Shtetet e Bashkuara është kufizuar. Kështu që ne nuk mund të mendonim se Franca nuk mund të rrezikohej nga kjo”, tha Laura Slimani nga organizata Fondacioni i Femrave.
Votimi i së hënës e vendos të drejtën për abort në nenin e 34 të kushtetutës franceze, ku thuhet se “ligji përcakton kushtet, sipas të cilave një grua gëzon lirinë për të vendosur për abortin”.
TË DREJTAT E ABORTIT
Por miratimi i ligjit u shoqërua me disa kritika.
Udhëheqësja e krahut të djathtë, Marine Le Penn tha se zoti Macron po e përdorte këtë për të marrë pikë politike, duke marrë parasysh mbështetjen e madhe të grupeve të mbrojtjes së të drejtës për abort.
“Ne do të votojmë për ta përfshirë atë në kushtetutë sepse ne nuk kemi asnjë problem me këtë”, tha zonja Le Pen për gazetarët para votimit në Versajë. Ajo theksoi se është një ekzagjerim që ky hap të quhet historik sepse “askush nuk e ka rrezikuar të drejtën e abortit në Francë”.
Presidentja e Shoqatës së Familjeve Katolike, Pascale Moriniere e quajti vendimin një humbje për fushatën kundër abortit.
“Kjo është gjithashtu një humbje për gratë dhe për të gjithë fëmijët që nuk do ta shohin dritën”, tha ajo.
Zonja Moriniere tha se nuk ishte e nevojshme të përfshihej në kushtetutë e drejta për abort.
“Ne e importuam një debat jo-francez sepse Shtetet e Bashkuara ishin të parat që përmbysën rastin Roe kundër Wade, i cili e kishte bërë të ligjshëm abortin”, tha ajo. “Nuk kishte asnjë arsyer për panik nga lëvizja feministe, e cila dëshironte me ngulm ta mishëronte këtë në kushtetutë”.