Lidhje

Nënpresidentja Harris pret në Shtëpinë e Bardhë zyrtarin izraelit Benny Gantz


Palestinezët inspektojnë dëmet pas sulmit izraelit në Rafah, Rripi i Gazës, më 4 mars, 2024/AP
Palestinezët inspektojnë dëmet pas sulmit izraelit në Rafah, Rripi i Gazës, më 4 mars, 2024/AP

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris do të presë të hënën në Shtëpinë e Bardhë anëtarin e kabinetit izraelit të luftës Benny Gantz, një ditë pasi ajo bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në Gazë.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se bisedimet pritet të përqendrohen tek pasojat e goditjeve izraelite tek civilë palestinezë, përpjekjet për një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e pengjeve, si dhe hyrjen e ndihmave shtesë në enklavë.

“Nënpresidentja do të shprehë shqetësimin për sigurinë e mbi 1.5 milionë personave në Rafah,” tha zyrtari, duke shtuar se Izraeli “gëzon të drejtën të mbrohet përballë kërcënimeve të vazhdueshme terroriste të Hamasit.”

Përmes një deklarate, zoti Gantz konfirmoi se ai do të takojë zonjën Harris, si dhe Këshilltarin për siguri kombëtare Jake Sullivan dhe ligjvënësit republikanë dhe demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Nënpresidentja Harris shfrytëzoi një fjalimi që e mbajti të dielën të bëjë thirrje për armëpushim, njërin nga thirrjet më këmbëngulëse deri më tani të administratës së Presidentit Biden për t’i dhënë fund luftës.

“Duke patur parasysh shkallën e pamasë të vuajtjeve në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm,” tha zonja Harris gjatë një fjalimit të mbajtur në Alabama ku po shënohej përvjetori i lëvizjes për të drejtat civile. Deklarata e saj u duartrokit nga të pranishmit.

Zonja Harris po ashtu u tha të pranishmëve se “kërcënimi që Hamasi paraqet për popullin e Izraelit duhet të eliminohet.”

Administrata amerikane po bashkëpunon me Egjiptin dhe Katarin për të ndërmjetësuar një ndërprerje të përkohshme të luftimeve prej gjashtë javësh për të siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi dhe për të futur më shumë ndihma në Gazë, ku Kombet e Bashkuara po paralajmërojnë për rrezikun e urisë.

Duke folur nga ura “Edmund Pettus”, ku 59 vite më parë forcat e rendit rrahën pjesëmarrësit e marshimit për të drejta civile në ngjarjen e njohur si “E diela e përgjakur”, zonja Harris tha se njerëzit në Gazë janë të uritur.

“Kushtet janë çnjerëzore dhe duhet të veprojmë duke u bazuar në ndjenjën e përbashkët njerëzore,” tha ajo. “Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë për të rritur dukshëm futjen e ndihmave. Pa justifikime.”

Në një operacion të përbashkët, forcat ajrore amerikane dhe jordaneze të shtunën hodhën nga ajri 38,000 paketa ushqimore përgjatë bregut të detit në Gazë. Një zyrtar amerikan deklaroi se operacionet të tilla janë pjesë e një “përpjekjeje të qëndrueshme” me partnerët ndërkombëtarë për të shtuar ndihmën humanitare në Gazë.

Punonjësit e ndihmave e konsiderojnë hedhjen e ndihmave nga ajri si metodë të fundit, ngaqë një operacion i tillë është i shtrenjtë dhe i komplikuar dhe nuk mund të arrijë të dërgojë sasinë e ndihmave siç mund të bëhet përmes një kamioni.

“Fuçi baruti”

Zyrtari i OKB-së për të drejta të njeriut Volker Turk deklaroi të hënën se është “e domosdoshme” të bëhet gjithçka që të shmanget një luftë e përmasave të gjëra ndërsa iu referua luftimeve përgjatë kufirit me Libanin jugor, ku forcat izraelite u përplasën me militantët e Hezbollahut.

“Jam tejet i shqetësuar që në këtë fuçi baruti, një shkëndijë mund të çojë drejt një përshkallëzimi më të gjerë,” deklaroi ai para Këshillit për të Drejta të Njeriut të OKB-së në Gjenevë. “Një gjë e tillë do të kishte pasoja për secilin shtet në Lindje të Mesme dhe më tej.”

Zoti Turk tha se konflikti në Gazë “tashmë është përhapur rrezikshëm në shtetet fqinje.”

Ai po ashtu iu referua sulmeve të miliantëve Houthi të Jemenit ndaj anijeve në Detin e Kuq, të cilat ata kanë thënë se po i ndërmarrin për t’u solidarizuar me palestinezët në Gazë.

Ai tha se sulmet e këtyre militantëve ndërprenë tregtinë detare dhe çuan në rritje të çmimeve, që po ndikon dukshëm në shtetet e pazhvilluara.

“Ekziston një rrezik serioz që konflikti të përfshijë Jemenin, që do të dëmtonte rëndë popullin e Jemenit, që tashmë vuan nga kriza humanitare e shkaktuar nga një dekade luftë,” deklaroi zoti Turk para Këshillit.

Paralajmërime të ngjashme bëri edhe i dërguari i posaçëm amerikan Amos Hochstein, i cili gjatë vizitës në Bejrut tha se një armëpushim në Gazë nuk do të thotë edhe një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve përgjatë kufirit me Libanin.

I dërguari i posaçëm amerikan, Amos Hochstein gjatë vizitës në Bejrut, Liban më 4 mars, 2024/AP
I dërguari i posaçëm amerikan, Amos Hochstein gjatë vizitës në Bejrut, Liban më 4 mars, 2024/AP

I dërguari Hochstein ndodhet në Liban si pjesë e angazhimit diplomatik për të ndalur shkëmbimet e zjarrit ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit, që po ndodhin paralelisht me luftën në Gazë, duke nxitur shqetësime për një konfrontim më të gjerë. “Përshkallëzimi i dhunës nuk është në interesin e askujt dhe nuk ekziston një koncept i luftës së kufizuar,” deklaroi ai para gazetarëve pas takimit me Kryetarin e kuvendit të Libanit, Nabih Berri, i cili është i afërt me Hezbollahun.

I dërguari Hochstein tha se përleshjet në kufi kanë shënuar rritje javët e fundit.

“Armëpushimi i përkohshëm është i pamjaftueshëm. Përhapja e luftës nuk do të prandalohej dot,” deklaroi ai.

Bisedimet për armëpushim

Një delegacion i Hamasit qëndroi në Kajro të dielën për të diskutuar për një armëpushim të luftës pesë muajore me Izraelin. Por mediat izraelite raportuan se ndërmjetësit izraelitë bojkotuan bisedimet pasi Hamasi refuzoi kërkesat e tyre për të ofruar një listë me emrat e pengjeve që ende janë të gjallë.

Administrata e Presidentit Biden shpreson që një marrëveshje për armëpushim të arrihet deri në fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, që fillon me 10 mars.

Një marrëveshje e tillë do të siguronte një pezullim më afatgjatë të luftimeve që nga armëpushimi i kaluar, në fund të nëntorit. Sipas kushteve të propozuara, dhjetëra pengje nga 100 të rrëmbyerit nga Hamasi do të liroheshin në këmbim të qindra palestinezëve që do të liroheshin nga burgjet e Izraelit.

Një zyrtar amerikan u tha gazetarëve se “në këtë pikë, rruga drejt armëpushimit është e qartë. Dhe ekziston një marrëveshje. Ekziston një kornizë marrëveshjeje.”

Izraeli është zotuar se nuk do të lejojë një sulm të ngjashëm si ai i 7 tetorit nga Hamasi, që la 1,200 të vrarë, sipas autoriteteve izraelite. Që atëherë, kundër-ofensiva e Izraelit ka lënë 30,500 të vrarë në Gazë, rreth 70 për qind e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Nëse arrihet një marrëveshje për armëpushim, ajo do të mundësonte shtimin e ndihmës humanitare për Gazën, ku situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 16 fëmijë kanë vdekur nga mungesa e ushqimit ditëve të fundit, ndërkohë që “uria po përhapet” në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

XS
SM
MD
LG