Lidhje

I jepet lamtumira e fundit kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny


Nën masa të rrepta sigurie, mijëra rusë i dhanë lamtumirën e fundit në Moskë politikanit të opozitës, Alexei Navalny, i cili vdiq në rrethana të paqarta dy javë më parë në një burg në Arktik. Funerali pasoi një betejë të aleatëve të zotit Navalny me autoritetet e Kremlinit për të marrë trupin dhe organizuar ceremoninë e varrimit të kritikut më të ashpër të Presidentit Vladimir Putin.

I jepet lamtumira e fundit kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

Në ceremoninë e varrimit mijëra rusë brohoritën emrin e kritikut të njohur të Kremlinit dhe thanë se kurrë nuk do t’i falin autoritetet për vdekjen e tij.

Prindërit e zotit Navalny morën pjesë në shërbesën ku u lejuan vetëm pak njerëz, në një ceremoni që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.

Gruaja e zotit Navalny, Yulia Navalnaya, me të cilën ai ka dy fëmijë, nuk mori pjesë në ceremoni, sepse ajo ndodhet jashtë Rusisë.

“Nuk di si të jetoj pa ty, por do të bëj të pamundurën të të bëj të lumtur dhe krenar. Nuk e di nëse do ia dal, por do të përpiqem”, shkroi ajo në rrjetet sociale pas varrimit.

Një prift ortodoks udhëhoqi ceremoninë e shkurtër të lutjeve, ndërsa jashtë qëndronin mijëra njerëz që nuk ishin lejuar të merrnin pjesë në ceremoni.

Pas largimit të arkivolit jehonin thirrjet e pjesëmarrësve se “Rusia do të jetë e lirë”, “Jo luftës”, “Rusia pa Putnin” dhe “Putini është një vrasës”.

"E ndjej trysninë, por këtu ka aq shumë njerëz, prandaj nuk shqetësohem. Nuk frikësohemi kur jemi të bashkuar”, thotë Kamilla, një pjesëmarrëse në funeral.

"Jam këtu sepse ai është personi që zgjoi interesimin tim për politikën. Ai ishte frymëzim për ata që janë mbledhur këtu dhe të tjerët që nuk mund të vinin”, thotë një pjesëmarrës tjetër në funeral.

Më shumë se një çerek milioni njerëz ndoqën drejtpëdrejt funeralin përmes kanalit në Youtube të zotit Navalny, i cili është i bllokuar në Rusi.

Kritiku më i ashpër i Presidentit Putin vdiq në moshën 47 vjeçare në një burg në Arktik më 16 shkurt, ku po vuante një dënim 19 vjeçar.

Mbështetësit e tij thonë se ai është vrarë nga autoritetet, por Kremlini mohon të ketë dorë në vdekjen e tij.

Autoritetet ruse e kanë shpallur lëvizen e tij të jashtëligjshme dhe ekstremiste, ndërsa mbështetësit e tij i cilësojnë si shkelës të ligjit të mbëshetur nga Shtetet e Bashkuara për të nxitur revolucion.

Funerali i zotit Navalny vjen dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale, në të cilat Presidenti Putin, udhëheqësi kryesor i Rusisë për mbi 20 vjet, pritet të fitojë me lehtësi një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Kremlini tha se çdo tubim i paligjshëm në mbështetje të Navalnyt është shkelje e ligjit.

“Kemi një ligj që duhet ndjekur. Çdo tubim i paautorizuar është në kundërshtim me ligjin dhe ata që do të marrin pejsë në këto tubime do të mbahen përgjegjës”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës në Rusi, morën pjesë në funeralin e politikanit Navalny.

XS
SM
MD
LG