Lidhje

Moskë, ndalohet për pak orë avokati i Alexei Navalny


Një avokat i udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, që shoqëroi nënën e tij javën e kaluar ndërsa ajo përballej me autoritetet ruse për të tërhequr trupin e të birit, u ndalua për pak kohë në Moskës, njoftuan mediat ruse.

Avokati, Vasily Dubkov, tha më vonë për median e pavarur “Verstka” se ishte lënë i lirë. ‘Verstka” njoftoi se zoti Dubkov nuk komentoi mbi arsyen e ndalimit të tij, por tha se ishte një pengesë për ushtrimin e profesionit të tij si avokat.

Me ndihmën e avokatit, nëna e Alexei Navalnyt, Lyudmila, ia doli të merrte trupin e të birit të shtunën e kaluar, tetë ditë pasi ai vdiq papritur në një burg në Arktik.

Më herët ajo akuzoi hetuesit se ishin përpjekur ta kërcënonin "se nuk do ia jepnin trupin e të birit, nëse nuk hiqte dorë nga varrimi publik , gjë që ajo refuzoi ta pranonte.

Zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin e ka cilësuar këtë akuzë si absurde.

Zëdhënësja e Navalnit tha të martën se deri tani bashkëpunëtorët e tij nuk kanë arritur të gjejnë asnjë vend, ku të mund të kryhet funerali në nderim të tij. Ajo tha se në një rast i ishte thënë se “agjencitë e funeraleve e kishin të ndaluar të punonin për ta”.

47-vjeçari Navalni, politikani më i njohur i opozitës ruse, vdiq papritur më 16 shkurt në një burg në Rrethin Arktik ndërsa vuante dënimin me 19 vjet burg.

XS
SM
MD
LG