Lidhje

Ish presidenti Trump apelon gjobën prej 454 milionë dollarësh


NJU JORK – Ish presidenti Donald Trump apeloi gjobën prej 454 milionë dollarësh, duke sfiduar kështu vendimin se pati mashtruar me vlerën e pasurisë, ndërsa zgjeronte perandorinë e pronave të patundshme që i dha atij famë dhe në vazhdim presidencën.

Avokati i tij paraqiti të hënën apelimin që i kërkon gjykatës së nivelit të dytë të shtetit të Nju Jorkut që të rrëzojë vendimin e dhënë nga gjykatësi Arthur Engoron më 16 shkurt lidhur me padinë e prokurores Letitia James dhe të anulojë kështu gjobën e rëndë që rrezikon të marrë pothuajse të gjithat rezervat në para të gatshme të zotit Trump.

Në dokumentacionin e paraqitur nga avokatët e tij i kërkohet gjykatës së apelit të vendosë nëse gjykatësi Engoron “bëri gabime ligjore apo faktike” dhe nëse abuzoi apo tejkaloi kompetencat e juridiksionit të tij.

Në dokumentacion nuk përmendet nëse zoti Trump kërkon të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e gjobës duke vendosur garanci të ardhurash dhe pasurish të tjera në vlerën e shumës së gjobitur, që do të siguronte kështu një pezullim automatik të vjeljes së saj.

Kërkesa për koment iu dërguan avokatëve të zotit Trump dhe zyrës së prokurores së Nju Jorkut.

Gjykatësi Engoron pati vendosur se ish Presidenti Trump, kompanitë e tij dhe drejtuesit kryesorë, ndër ta edhe djemtë e tij Eric dhe Donald Trump Jr., komplotuan prej vitesh për të mashtruar bankat dhe kompanitë e sigurimeve duke i fryrë artificialisht pasurinë e tij në deklaratat financiare, që u përdorën për të marrë kredi dhe për të arritur marrëveshje biznesi. Ndër ndëshkimet e dhëna, gjykatësi vendosi edhe kufizime të rrepta ndaj kompanisë së zotit Trump, Organizata Trump, për të bërë biznes.

Apelimi shtrin tashmë betejën ligjore për praktikat e biznesit të zotit Trump përgjatë gjithë periudhës së zgjedhjeve paraprake dhe ndoshta edhe më tej, ndërsa ai përpiqet të sigurojë emërimin si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane.

Nëse lihet në fuqi, vendimi i gjykatësit Engoron do ta detyrojë zotin Trump të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së tij. Në vendim, ish presidenti urdhërohet të paguajë 355 milionë dollarë gjobë, që për shkak të interesave ka arritur në gati 454 milionë dollarë deri më sot. Për çdo ditë që kalon pa u paguar, gjoba rritet me 112 mijë dollarë.

Zoti Trump thotë se ka një vlerë prej disa miliarda dollarësh dhe dëshmoi vitin e kaluar se ka rreth 400 milionë dollarë para të gatshme, krahas pronave dhe investimeve të tjera. Prokurorja James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, i tha kanalit televiziv ABC News se nëse zoti Trump nuk mundet ta paguajë gjobën, ajo do të kërkojë konfiskimin e disa prej pasurive të tij.

Apelimi i zotit Trump ishte i pritshëm. Ai ishte zotuar se do ta apelonte vendimin dhe avokatët e tij e kishin përgatitur terrenin për këtë prej muajsh duke kundërshtuar shpesh drejtimin e procesit gjyqësor nga gjykatësi Engoron.

Avokatët janë paraqitur më përpara në apel të paktën 10 herë, për të sfiduar disa nga vendimet e gjykatësit Engoron, si një urdhër për heshtje dhe gjobë, pasi zoti Trump bëri komente false në mediat sociale për një punonjës të gjykatës.

Nëse nuk del me sukses në apel, zoti Trump mund të kërkojë që çështja të shqyrtohet nga gjykata më e lartë e shtetit të Nju Jorkut.

Ky apelim është vetëm një nga sfidat e shumta ligjore të zotit Trump. Ndaj tij janë ngritur padi penale katër herë gjatë vitit të kaluar. Ai akuzohet në Xhorxhia dhe në Uashington se komplotoi për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje përballë demokratit Joe Biden. Në Florida, ai akuzohet se mori dhe mbajti në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara.

Muajin e ardhshëm ai pritet të paraqitet në gjykatën e Manhatanit për falsifikim të të dhënave të biznesit për paratë që iu dhanë në emër të tij aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për të siguruar heshtjen e saj.

Në janar, një juri gjyqësore e urdhëroi zotin Trump t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll për shpifjen ndaj saj, pasi ajo e akuzoi në vitin 2019 për sulm seksual në një dyqan veshjesh në Manhatan në vitet 1990. Kjo gjobë iu shtua gjobës prej 5 milionë dollarësh të dhënë në favor të zonjës Caroll në një gjyq të mëparshëm vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG