Lidhje

Vdes ushtari amerikan që dogji veten para Ambasadës së Izraelit në Uashington


Pjesëtarë të shërbimit sekret amerikan e mbajnë të bllokuar rrugën afër Ambasadës së Izraelit në Uashington; 25 shkurt, 2024
Pjesëtarë të shërbimit sekret amerikan e mbajnë të bllokuar rrugën afër Ambasadës së Izraelit në Uashington; 25 shkurt, 2024

Një anëtar i Forcave Ajrore të SHBA-së vdiq pasi dogji veten para ambasadës izraelite në Uashington ndërsa tha se “nuk do të jetë më bashkëpunëtor në gjenocid”.

Ushtari 25-vjeçar, Aaron Bushnell, nga San Antonio i Teksasit, vdiq për shkak të plagëve, tha të hënën Departamenti i Policisë Metropolitane.

I ndjeri Bushnell kishte shkuar në ambasadë pak para orës 13:00 të dielën dhe filloi transmetimin e drejtpërdrejtë në platformën e publikimit të videove ‘Twitch’, tha një person që ka njohuri për këtë çështje për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit besojnë se ai nisi një transmetim të drejtpërdrejtë, uli telefonin e tij dhe hodhi mbi veten një substancë që përhap zjarrin me shpejtësi dhe ndezi flakën. Në një moment, ai tha se “nuk do të jetë më bashkëpunëtor në gjenocid”. Videoja u hoq më vonë nga platforma, por zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë marrë dhe kanë analizuar një kopje të videos.

Në një deklaratë të hënën, Forcat Ajrore thanë: “Individi i përfshirë në incidentin e djeshëm ndërroi jetë mbrëmë”. Forcat Ajrore thanë se do të jepnin informacion shtesë një ditë pasi zyrtarët ushtarakë të njoftonin të afërmit e tij.

Incidenti ndodhi ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon miratimin e kabinetit për një operacion ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ndërkohë që po negociohet një marrëveshje e përkohshme armëpushimi. Ofensiva ushtarake e Izraelit në Gazë, megjithatë, ka nxitur kritika, duke përfshirë pretendimet për gjenocid kundër palestinezëve.

Izraeli ka mohuar me vendosmëri akuzat për gjenocid dhe thotë se po kryen operacione në përputhje me ligjin ndërkombëtar në luftën kundër Hamasit.

Në dhjetor, një person dogji veten para konsullatës izraelite në Atlanta, sipas autoriteteve të zjarrfikësve të Atlantës. Një flamur palestinez u gjet në vendngjarje dhe akti vlerësohet të jetë një “protestë politike”.

XS
SM
MD
LG