Ukraina dhe partnerët e saj të huaj mund ta ftojnë Rusinë në një takim të nivelit të lartë, në të ardhmen, për të diskutuar mbi mundësinë që Moska t’i japë fund sulmit dyvjeçar sipas kushteve të Kievit, tha të dielën një zyrtar i lartë ukrainas.
Zvicra do të organizojë një takim për të diskutuar vizionin e Presidentit Volodymyr Zelenskiy për paqen. Plani ukrainas mund t’i parashtrohet Rusisë në një takim tjetër po atë ditë, tha shefi i kabinetit të zotit Zelenskiy, Andriy Yermak.
“Ekziston mundësia të ftojmë së bashku përfaqësues të Federatës Ruse dhe t’i njohim me planin përfaqësuesit e vendit agresor, në atë rast, që vërtetë duan t’i japin fund luftës dhe të kemi paqe”, tha zoti Yermak gjatë një konference për shtypin në Kiev.
Presidenti Zelenskiy bëri publik për herë të parë planin e tij për paqe në nëntor të vitit 2022 gjatë takimit të nivelit të lartë të vendeve të G20. Plani i tij parashikon rikthimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe tërheqjen e plotë të trupave ruse.
Keivi ka shprehur vazhdimisht qëndrimin për të mos zhvilluar bisedime me Moskën derisa të gjitha trupat ruse të jenë larguar nga territori ukrainas.
Kremlini ka deklaruar se aktualisht nuk ka bazë për bisedime për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se plani i paqes së Kievit ishte absurd pasi përjashtonte Rusinë.