Ivan Zhdanov, një aleat i udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny, tha të premten se autoritetet ruse i kanë dhënë ultimatum nënës së tij që të heqë dorë nga një funeral publik ose trupi i djalit të saj do të varroset në oborrin e burgut.
Hetuesit i dhanë Lyudmila Navalnaya-s tre orë afat për të pranuar një propozim për një funeral privat, jashtë syve të publikut, tha në mediat sociale bashkëpunëtori i ngushtë i Navalny-t, Ivan Zhdanov. Që nga vdekja në burg e opozitarit rus javën e kaluar, nëna e tij është përpjekur që ta marrë trupin e pajetë të të birit për ta varrosur me dinjitet.
Zonja Navalnaya nuk po pranon të vazhdojë negociatat ndërsa u ka kërkuar autoriteteve që të zbatojnë ligjin dhe ta dorëzojnë trupin e të ndjerit brenda 48 orësh nga përcaktimi i shkaqeve të vdekjes, që përkon me të shtunën, tha zoti Zhdanov. Ajo është ankuar pranë autoriteteve duke i akuzuar ata për përdhosje të trupit, tha ai.
“Ajo këmbëngul që autoritetet të lejojnë zhvillimin e një funerali dhe shërbimi përkujtimor siç e kërkon tradita”, tha zoti Zhdanov.
47-vjeçari Navalny, politikani më i njohur i opozitës ruse, vdiq papritur më 16 shkurt në një burg në Rrethin Arktik. Ngjarja nxiti qindra rusë në mbarë vendin të improvizonin qendra përkujtimore me lule dhe qirinj. Autoritetet ruse kanë arrestuar një numër të madh njerëzish që kanë shprehur mbështetje për udhëheqësin e ndjerë të opozitës.
Nëna dhe avokatët e zotit Navalny janë përpjekur ta marrin trupin e tij që nga fundi i javës së kaluar, përpjekje që kanë fituar mbështetjen e rusëve me ndikim si gazetari fitues i Çmimit Nobël, Dmitry Muratov.
Në një postim në mediat sociale ai shkruante, “Duhet t’ia jepni Lyudmila-s djalin. Është e rëndë të flitet për këtë gjë në një vend që ende e konsideron veten të krishterë”.
Në një deklaratë me video të enjten nga qyteti Salekhard në Rrethin Arktik, zonja Lyudmila Navalnaya tha se hetuesit e lejuan atë që të shikonte trupin e djalit të saj në morgun e qytetit.
Zoti Zhdanov njoftoi të premten një shpërblim prej 50,000 eurosh për "informacion gjithëpërfshirës" në lidhje me vdekjen e opozitarit Navalny.